Universal Music, kompania më e madhe muzikore në botë, i ka hapur derën trajnimit të inteligjencës artificiale me veprat e artistëve të saj, pasi nënshkroi një marrëveshje me platformën Udio, e cila mund të gjenerojë këngë nga mesazhet me tekst të përdoruesve.
Marrëveshja i jep Udios një rrugë për të marrë licenca trajnimi nga Universal Music për një version të ri me pagesë të shërbimit që do të lançohet vitin e ardhshëm. Lista e Universal Music përfshin yje të tillë si Taylor Swift, Billie Eilish dhe Elton John.
Universal Music dhe kompani të tjera muzikore kishin çuar në gjykatë Udio-n dhe shërbimin e ngjashëm Suno, duke pretenduar shkelje të të drejtave të autorit.
Sistemet e inteligjencës artificiale trajnohen me sasi të mëdha të dhënash dhe kompanitë muzikore argumentuan se shërbimet kishin përdorur regjistrime të mbrojtura pa autorizim dhe pa kompensuar artistët. Marrëveshja tani zgjidh padinë e Universal Music kundër Udio-s.
Rritja e shërbimeve si Udio ka nxitur shqetësime në industri se vëllime të mëdha të muzikës së gjeneruar nga kompjuteri mund ta bëjnë jetën të vështirë për artistët. Kundërargumenti është se inteligjenca artificiale do të mbetet një mjet që nuk mund ta zëvendësojë kreativitetin njerëzor.
Derisa të lançohet platforma e re, versioni aktual i Udio do të mbetet i disponueshëm, por pritet të përballet me disa kufizime.
 
            