Nga Ermal Peçi
Kur lexova deklaratën e Ermal Mamaqit se “të varfërit meritojnë të jenë të varfër”, mendova ta çoja këtë fjali në një univers paralel, por jo shumë larg, diku në Shqipëri. Vetëm mjaftoi imagjinata që t’i ulja dy karrige përballë: në njërën Ermali i pasur; në tjetrën Ermalin e dikurshëm. Njëri me kostum që shkëlqen dhe i rrethuar nga aureola e motivuesit, ndërsa tjetri me bluzë të thjeshtë që ka parë më shumë dimra se premtime.
Biseda nisi:
Të varfërit meritojnë të jenë të varfër, tha Ermali i pasur, me atë buzëqeshjen e gëzuar të seminareve motivuese.
Ermali i varfër ngriti sytë ngadalë, me shikimin e dikujt që ka parë më shumë dyer të mbyllura se mundësi: Po kush të tha ty që unë s’u mundova?
I pasuri qeshi lehtë, si në një TED Talk të improvizuar në Pallat të Kongreseve: Duhet më shumë energji, më shumë fokus, më shumë “vizualizim”. Në Amerikë kështu funksionon edhe në filma!
Po këtu nuk jam në Amerikë as në filma, o burrë, i tha i varfëri. Këtu jam në Shqipëri. Këtu kur vizualizoj të ardhmen, më del përpara një derë partie, jo një derë suksesi.
I pasuri nuk u dorëzua: Duhet të çohesh herët, të sakrifikosh, të shohësh videot e mia motivuese dhe të atyre si unë!
U çohem që në 5, i tha i varfëri, jo për milionat, por për të kapur urbanin. Energjinë e kam, por sistemin nuk e kontrolloj dot dhe më duhet të kujdesem për familjen.
Ermali i pasur u mendua pak. Pastaj, si për të hedhur kripë në plagë: Epo, kush do, ia del!
I varfëri qeshi hidhur: Ti kur deshe, pate edhe një shans. Unë kur dua, më del një tender, një mik, një listë e mbyllur, një derë që hapet vetëm me kod, jo me punë. Këtu dëshira nuk mjafton duhet autorizim dhe “pakte me djallin”
Problemi nuk është që Ermal-i i pasur ia doli. Bravo i qoftë. Problemi është që që njerëzit e drejtë nuk e kanë gjetur veten për të bërë pakte, për tu bërë fasada dhe për të dhënë leksione pasurie.
Këtu suksesi nuk vjen vetëm nga djersa vjen nga dera. Dera nuk hapet me “fjalë motivuese”, por me marrëveshje e fat dhe shumë të vërteta që nuk thuhen në ekran.
Varfëria nuk është faji i të varfërve. Faji është harresa. Sidomos kur harron kush ishe dje dhe sot u ligjëron të tjerëve me ton autoriteti, sikur hallet e tyre janë mungesë dëshire, jo mungesë shteti dhe rrethanash apo fati.
Ermali dhe Ermalat e tjerë që motivojnë duhet ta kuptojnë se në këtë vend, nuk është beteja më e vështirë të bëhesh i suksesshëm. E vështirë është të mbetesh njeri!!!







