Ballina Opinion Lamtumirë “Robert çumçakizi”!

Lamtumirë “Robert çumçakizi”!

103
0

Pamë ceremoninë mortore të tre herë ish-kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, z. Fatos Nano, organizim shtetëror madhështor, siç i ka hije kryeministrit të një vendi. Dëgjuam fjalët lavdëruese për të ndjerin, por edhe për veten e fjaluesve. Fytyra të pikëlluara, skenografi e kostumografi e përzishme, lotë e ngashërim, përqafime ngushëlluese e forcëdhënëse, që vetvetiu të induktojnë mërzi në shpirt. Të vjen keq dhe shpreh ngushëllime për njeriun, babain, bashkëshortin, shokun, mikun apo të afërmin, Fatos, që u largua nga kjo botë, ndoshta në një moshë jo fort të shtyrë, dhe me sinqeritet thua “U prehtë në paqe”. Ky është pikëllimi njerëzor. Por mërzinë në shpirt ta shkakton kujtesa e shkurtër, hipokrizia dhe tjetërsimi i figurës së politikanit Nano në emër të të gjithë shqiptarëve.

Zia e mbajtur zyrtarisht ishte veçse protokoll shtetëror dhe politik, dhe hipokrizi qevritarësh, parlamentarësh e politikanësh të të gjitha krahëve. Por jo zi kombëtare për vetë të zezat dhe dëmet që i janë shkaktuar politikës dhe shtetit shqiptar nga ish-kryetari i Partisë Socialiste, politikani Nano.

Nano, në mos zanafilla, është ndër pionierët e korrupsionit shtetëror, të nisur që në kohën e shpërndarjes së ndihmave ushqimore në fillim të viteve ´90, kur populli shqiptar ishte në gjendje urie 50-vjeçare. Këtë korrupsion e sofistikoi më tej me rikthimin kryeministër pas ´97-ës dhe katandisjen e qeverisë në copa feudesh sipas ministrive me ministrin përkatës feudal dhe kryeministrin si kryefeudal. Është i paharrueshëm niveli i korrupsionit që hyri në procesin e privatizimit, veçanërisht të privatizimit të sektorëve strategjikë, të tregtisë së naftës, cigareve, pikjeve alkoolike, të doganave e tatimeve. Aq i shfrenuar u bë korrupsioni në Shqipëri saqë nuk u mbajt më sekret që me financime të USAID u mbështetën lëvizje civile kundër korrupsionit.

Nano krijoi modelin e kryeministrit part-time (me kohë të pjesshme), një pjesë e kohës në zyrë dhe pjesën tjetër kazinove, apo buzuqeve të Greqisë, duke komprometuar seriozitetin e institucionit të kryeministrisë dhe duke instaluar modelin e shtetarit të papërgjegjshëm e të pa interesuar për qeverisje, drejtim dhe miradministrim të popullit të tij.

Nën qeverisjen e Nanos filluan të formoheshin modelet e administratës militante dhe të qeverisjes nepotike me miq, shokë e të afërm, me bashkëshorte a bashkëshortë të figurave të Partisë Socialiste, si dhe të shpërndaheshin favore biznesesh e leje ndërtimi për këtë grup. Po në këtë qeverisje filloi simbioza e bizneseve klienteliste të pushtetarëve që ushqenin biznesin e tyre në kurriz të konkurrencës së lirë si dhe siguronin pasurimin e qeveritarëve.

Nano nuk reformoi ndonjë parti. Nanos i dhanë detyrën të drejtojë një kamuflazh të ish-Partisë së Punës së Shqipërisë. Kushdo që ka krijuar sadopak bindjen se në Shqipëri pati reformim të së majtës shqiptare ose ka mungesë të theksuar inteligjence, ose është vetë pjesë e lojës së kamuflazhit, dhe në të këtë binar argumentesh nuk ka vend për të tretë. Agresiviteti i Partisë Socialiste i shfaqur që në 2 prill 1991, një PS opozitë ekstremisht e ashpër pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992 (e lehtësuar edhe nga grupet pro politikës zbutëse me komunizmin brenda PD-së, që sot duan të na i nxjerrin si pd-istët largpamës) dhe një PS opozitë në ´97-ën që me dëshirë e vullnet u bë palë e një rrëmuje antishtet dhe antiShqipëri dhe protestonte me tre gishtat serbe nuk është e majtë e reformuar. Një PS që mori pushtetin me grykën e kallashit, kaloi në pozitë në ´97-ën dhe tregoi të njëjtën egërsi ndaj pjesës josocialiste të popullit duke nxitur valë protestash, përzënie nga puna, emigrimi masiv, jo vetëm nuk është e majtë e reformuar, por tregoi se i mbeti besnike mësimeve më të egra të Partisë së Punës. Vala e diskriminimit brenda shtetit me përhapjen e frymës antiveri (kujtojmë pak epitetet malok e çeçen), keqtrajtimin e posaçëm që iu bë Shkodrës dhe krijimin e një qeverie dhe administrate pothuaj ekskluzivisht nga Zona e Parë Operative e tregoi se e majta dhe qeverisja e kryesuar nga Nano ishte katërcipërisht e pareformuar dhe restauroi haptazi modelin dhe klanet qeverisëse të para ´90-ës. Është ky shtrat ekstremist dhe burimor i të majtës nanoiste mbi të cilën u konsolidua më tej e majta rilindase e Edi Ramës, që ka rikthyer në gjendje të plotë ngrehinën qeverisëse të para ´90-ës.

Nano nuk solli liberalizëm, as tolerim dhe as frymë bashkëpunimi. Anarkizmi që ai futi në qeverisje nuk është liberalizëm, përkundrazi në rastin e Shqipërisë me institucione të dobëta, anarkizmi është diktaturë rruge për qytetarin e thjeshtë dhe opozitarët. Nuk është e vërtetë që opozitarët nuk janë arrestuar e përndjekur në qeverisjet e Nanos. Nëse këtij fati i shpëtoi Berisha, kjo nuk e bën Nanon tolerant dhe paqtues. Ndoshta ai ka llogaritur forcën e vet. Edhe dorëheqjet e tij nga kreu i qeverisë nuk janë shenjë liberalizmi, kanë qenë momente përplasjesh brenda bandës socialiste dhe raporte forcash. E tillë ka qenë dhe situata e vitit 2005, kur ai e çoi PS-në në opozitë si rrjedhojë e keqqeverisjes së vet dhe sherrit me të vetët (fraksioni i Ilir Metës).

Nano mbi të gjitha nuk ka treguar kurrë asnjë shenjë patriotizmi dhe respekti për historinë dhe interesat e vendit të tij dhe popullit shqiptar. Nuk harrohet ngazëllimi dhe përjargia e qeverisë dhe PS-së përpara avancimit të padrejtë dhe të pandershëm të interesave greke në Shqipëri, si shpërblim për aleancën e vyer që krijuan në ngjarjet e ´97-ës, duke shënuar rastin e vetëm në vendet e ish-Europës Qendrore e Lindore që komunistët kthehen në pushtet me kryengritje të dhunshme në dëm të interesit të shtetit dhe interesit kombëtar. Edhe më të hapura kanë qenë qëndrimet, veprimet dhe retorika politike kundër interesave kombëtare dhe fyerja për ndjenjat e popullit në Kosovë, veçanërisht me dy shprehjet famëkeqe se „kryeqyteti i Kosovës është Beogradi“ dhe „Millosheviçi është njeriu që di të bëjë edhe luftën, edhe paqen“ (masakrimi i popullit shqiptar në Kosovë e tregoi më së miri se sa i paqtë ishte Millosheviçi). Sigurisht që Rama kryeministër ia lavdëron këtë tipar, sepse vijon në të njëjtën politikë antikombëtare. Ndoshta dhe Albin Kurti nuk bëri keq që la fushatën e vështirë elektorale dhe hallet e shtetit të tij me institucione të pakonstituuara dhe harxhoi disa orë zie në Tiranë, për njeriun që më së paku e ka dashur Kosovën e pavarur. Ne urojmë që pikëllimi i Albinit për të majtin e Shqipërisë t´ia shtojë votat në zgjedhjet që e presin.

Nano ka lënë një trashëgimi të rrezikshme që edhe sot e gërryen politikën dhe qeverisjen në Shqipëri: mbledhjen e famshme të KPD-së. Nuk mund të harrohen as sharjet, shthurja e fjalorit dhe gjithë të zezat që nxorën për njëri-tjetrin, me ata që sot e quanin shok e vëlla, në emër të rrëmbimit të pushtetit dhe më pas u puthën për të zezën e Shqipërisë. Ajo që mbeti ishte rrënimi i mëtejshëm i shpresës së shqiptarëve që në krye të kishin një ditë dikë të mbarë. Nga ai moment e me këmbënguje u konsolidua modeli i shtetarit bandit kundër të cilit populli e ka vështirë të luftojë dhe si rrjedhim zgjodhi rrugën e largimit duke emigruar.

Nga e gjithë parada e hipokrizisë së mesazheve, dhe veçanërisht fjalimi kryeministror, ndoshta shprehja më e saktë dhe e vërtetë që do të thuhej për Fatos Nanon do të ishte: Lamtumirë “Robert çumçakizi”! I lumtur qofsh për jetën që jetove. Ndërsa Shqipërisë nuk i bëre nder. I le barrë, siç ke thënë vetë, thonjpaprerin dhe vjedhësin e ikonave. Të duan vetëm të paudhët që ke lënë pas./vna