Ballina Europë Policia britanike zbulon motivin e sulmit me thikë në tren

Policia britanike zbulon motivin e sulmit me thikë në tren

71
0

Policia Britanike e Transportit ka përjashtuar terrorizmin si një motiv pas incidentit me thikë në tren të shtunën në mbrëmje, i cili plagosi 11 persona, nëntë prej të cilëve në gjendje kritike.

Hetimet me dy të dyshuarit e arrestuar janë duke vazhduar për të zbuluar motivet e sulmit.

Por, policia thotë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti ishte një sulm terrorist.

“Rreth orës 19:42 pati telefonata në shërbimin policor në lidhje me disa sulme me thikë, të cilat ndodhën në një tren që u nis nga Doncaster dhe ishte në rrugë për në stacionin e King’s Cross në Londër”, tha John Loveless i Policisë Britanike të Transportit.

“Oficerët mbërritën menjëherë në stacionin e Huntingdon së bashku me ndihmësit mjekësorë, ku oficerë të armatosur të policisë së Cambridgeshire hipën në tren dhe arrestuan dy persona. Brenda tetë minutash nga thirrja në 999, dy burra u morën në paraburgim, ku mbeten edhe sot në mëngjes.”

Të dyshuarit u identifikuan si dy meshkuj, shtetas britanikë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët u arrestuan në Huntingdon, ku treni bëri një ndalesë emergjente dhe ku menjëherë ndërhynë policia e armatosur.

“Këta janë, mashkulli i parë, një mashkull 32-vjeçar me kombësi britanike, dhe një burrë 35-vjeçar, me kombësi britanike, me prejardhje nga Karaibet. Të dy u arrestuan me dyshimin për tentativë vrasjeje. Të dy kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar“, shtoi Loveless.

Ndryshe, sulmi fillimisht u dyshua si një sulm i mundshëm terrorist.

Njësitë britanike të Policisë Kundër Terrorizmit u përfshinë në hetimet fillestare.

Megjithatë, policia tani thotë se hetimet e mëtejshme kanë përjashtuar terrorizmin si një motiv pas incidentit.

“Policia Britanike e Transportit deklaroi dje se ishte një incident i rëndë dhe Policia Kundër Terrorizmit fillimisht mbështeti hetimin tonë. Megjithatë, në këtë fazë, nuk ka asgjë që të sugjerojë se ky është një incident terrorist”, tha Loveless.