Një punonjës i kompanisë hekurudhore London North Eastern Railway (LNER) ndodhet në gjendje kërcënuese për jetën, pasi u përpoq të ndalonte një sulm me thikë në trenin që udhëtonte nga Doncaster drejt Londrës. Policia e Transportit Britanik e ka cilësuar ndërhyrjen e tij “heroike”, duke theksuar se ai “shpëtoi jetët e shumë njerëzve”, përcjell BBC.
Incidenti ndodhi të shtunën mbrëma, pak para orës 20:00, kur treni u ndal në stacionin e Huntingdon, në Cambridgeshire. Një 32-vjeçar, që është i vetmi i dyshuar për sulmin, u arrestua menjëherë nga policia. Një 35-vjeçar tjetër, fillimisht i ndaluar, u lirua pa akuza pasi u konstatua se nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Sipas autoriteteve, 11 persona u dërguan në spital, pesë prej të cilëve janë tashmë të lëshuar. Në vendngjarje u gjet edhe arma e krimit – një thikë kuzhine – ndërsa policia ka përjashtuar pistën e terrorizmit.
Zëvendësshefi i policisë, Stuart Cundy, tha se hetimi “po ecën me shpejtësi” dhe se nuk ka persona të tjerë në kërkim. Ai shtoi se po verifikohen të gjitha rrethanat që çuan në sulm.
Heroizmi në tren
Pamjet e sigurisë nga treni tregojnë momentin kur punonjësi i LNER përpiqet të ndalojë sulmuesin, duke u vënë në rrezik për të mbrojtur pasagjerët. “Veprimet e tij ishin jashtëzakonisht heroike dhe padyshim shpëtuan jetët e njerëzve,” deklaroi zëdhënësi i policisë.
Drejtori i kompanisë, David Horne, falënderoi shërbimet emergjente për reagimin e shpejtë dhe tha se “të gjithë janë thellësisht të tronditur e të pikëlluar”. “Mendimet tona janë me kolegun tonë që ndodhet në gjendje kritike dhe me familjen e tij,” shtoi ai.
Reagime dhe dëshmi tronditëse
Pasagjerja Amira Ostalski, e cila ndodhej në tren, tregoi se sulmuesi “dukej sikur kishte një mision për të goditur këdo që i dilte përpara”. “Ishte tmerruese – njerëzit bërtisnin, kishte gjak kudo, disa u shkelën nga turma që po përpiqej të shpëtonte,” tha ajo.
Kushtet e udhëtimit ishin kaotike derisa drejtuesi i trenit, Andrew Johnson, një ish-oficer i Marinës Mbretërore, arriti ta devijonte trenin në një linjë më të ngadaltë me platformë në Huntingdon. Falë veprimit të tij të menjëhershëm, ekipet e emergjencës arritën të ndërhyjnë me shpejtësi.
Një dëshmitar tjetër, Thomas McLachlan, tha se shumë pasagjerë treguan guxim dhe solidaritet: “Pashë njerëz që ndihmonin të plagosurit, jepnin batanije dhe ujë – kishte shumë vetmohim atë ditë.”







