Ballina Politika Tabaku: Shqiptarët po varfërohen çdo ditë, ekonomia shqiptare nuk prodhon më

Tabaku: Shqiptarët po varfërohen çdo ditë, ekonomia shqiptare nuk prodhon më

99
0

“Stabiliteti i pretenduar nga qeveria nuk ekziston në xhepat e qytetarëve, por vetëm në letrat e ministrive, ndërsa faktet, tregojnë një realitet krejt tjetër”. Kështu është shprehur deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një reagim për situatën ekonomike në vend.

Në një video-mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Tabaku thekson se 55% e familjeve shqiptare jetojnë në kushte varfërie, për shkak të rritjes së çmimeve dhe taksave.

“EUROSTAT tregoi që 55% e familjeve shqiptare jetojnë në kushte varfërie, nuk e mbyllin dot muajin. 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime. Kjo situatë është pasojë e taksave të larta, rritjes së çmimeve me 30% dhe zhvlerësimit të euros, që ka goditur më fort shtresat e mesme dhe të ulëta”, shprehet Tabaku.

Deputetja demokrate nënvizon se ekonomia shqiptare po varet gjithnjë e më shumë nga sektori i ndërtimit, ndërsa sektorët që krijojnë punësim dhe mirëqenie – si bujqësia, prodhimi dhe energjia – janë lënë në harresë.

“Ekonomia shqiptare nuk prodhon më! Për çdo 1% rritje ekonomike, punësimi rritet me vetëm 0.1%. Kjo është prova që kemi një ekonomi të pakicës, që nuk krijon vende pune dhe nuk gjeneron mirëqenie për qytetarët,” theksoi Tabaku.

Ajo bëri thirrje që realiteti ekonomik i vendit të ndryshojë, duke u vendosur në shërbim të shumicës së shqiptarëve që përballen çdo ditë me koston e jetesës dhe pasigurinë ekonomike.

“Këtë realitet duhet ta ndryshojmë. Ekonomia duhet të punojë për shumicën, jo për një pakicë të privilegjuar që përfiton nga pushteti,” përfundoi Tabaku.