Ballina Editorial Gjykata foli, të tjerët bëjnë “llak llak” kot

Gjykata foli, të tjerët bëjnë “llak llak” kot

65
0

Nga Denis Dyrnjaja

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Erion Veliajt ka tronditur skenën politike, duke nxitur valë reagimesh të mbushura me hipoteza, paranoja dhe interpretime të lodhura nga logjika. Por në thelb, ky vendim është një akt institucional që shkon përtej individit është mbrojtje e Kushtetutës, e pavarësisë së gjykatës dhe e dinjitetit shtetëror.

Me rrëzimin e shkarkimit antikushtetues të kryebashkiakut të Tiranës, Gjykata Kushtetuese dha një mesazh të qartë: askush, as qeveria, as presidenti, dhe asnjë institucion tjetër, nuk mund të veprojë sipas tekave politike. Vendimet duhet të merren në respekt të ligjit themeltar të shtetit Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Përballë këtij vendimi, disa zëra politikë u përpoqën të fabrikonin teori konspirative, duke aluduar se kryeministri ndryshoi planin për zgjedhjet apo se ndikoi në vendimin e gjykatës. Këto janë, në rastin më të mirë, shfaqje të paranojës politike dhe, në rastin më të keq, dëshmi e injorancës juridike. Gjykata nuk lexon individë, por parime; ajo nuk interpreton dëshira, por ligje.

Në këtë proces, u ekspozuan publikisht ekspertët ligjorë të institucioneve të larta, të cilët, me argumente të dobëta dhe shërbim të verbër ndaj urdhrave, dolën qesharakë. Ky rast u bë një provë “vrasëse” për profesionalizmin e tyre dhe fatkeqësisht, rezultati nuk ishte aspak në favorin e tyre.

Ndërkohë, opozita vazhdon të notojë në miopi politike, duke mos qenë elastike dhe pragmatiste për te vlerësuar akte dhe vendime që përkojnë me interesin e shtetit, republikës dhe demokracisë. Duke mbajtur qëndrime të nxituara dhe të pamatura opozita ndonëse në dukje në kah të kundërt, gjithnjë e më shpesh po pikëtakohen në interesa të përbashkëta në dëm të demokracisë dhe kjo është ironia më e madhe e politikës sonë.

Për sa i përket Erion Veliajt, ky vendim është një fitore simbolike që ia siguroi Kushtetuta dhe gjykata, por aspak një shfajësim penal apo moral. Ai mbetet i pandehur dhe duhet të përballet me drejtësinë si çdo qytetar tjetër. Moralisht dhe politikisht, nëse do të ndiqte standardet perëndimore, Veliaj do të kishte dhënë dorëheqjen ditën kur mori njoftimin për hetim për ta bërë betejën e tij jashtë zyrës, e jo brenda saj. Gjykata foli. Tani, le të mësojmë të dëgjojmë drejtësinë, jo zhurmën.