Ballina Opinion Palloshi i Gjatë

Palloshi i Gjatë

68
0

Nga Ilir Dako 

Tuneli i Llogarasë, Porti i Durrësit, Limioni i Sarandës, Aeroporti i Vlorës, Tigrat gjeneratorë, Kashar-Thumanë dhe investimet në rrugë, ujësjellës, energji, etj,  janë një pjesë e mozaiku të aferave ku është e implikuar Belinda Balluku. Zëvendësja e Edi Ramës është e përfshirë kudoi ku përpunohen paratë e shqiptarëve dhe orkestron si dirigjente se ku duhet të shkojnë këto para. Ajo është kudo ku ka investime publike, kudo ku tenderohet dhe kudo ku vidhet. Ajo është figura më emblematike e korrupsionit që kontrollon gjithçka.

Marrja e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarsë është një pjesë minimaliste e asaj që ka ndodhur në të vërtetë me abuzimet në ekonominë shqiptare, ku firma e Ballukut, vendimet e saj janë pas çdo afere.  Ajo ka krijuar një bandë eunukësh drejtorë, të cilët kanë zbatuar në mënyrë të verbër skemën e projektuar nga Balluku,  duke shtrydhur në maksimum të ardhurat për interesa të kësaj bande. Gjoba për çdo biznes që tenderon flitet se është 30 përqind dhe në vende të caktuara shkon në 35 përqind ku kapobanda përthith si lavatriçe paratë e bizneseve dhe të taksapaguesve shqiptarë.

Përgjimet e ditëve të fundit nga ana e SPAK, përveç konfirmimit të skemës së grabitjes nëpërmjet një sistemi mafioz të Ballukut me drejtorët e saj zbuloi dhe një anë tjetër të errët të saj.

Kush është Palloshi i Gjatë për Belinda Ballukun? Ky pseudonim i dalë nga përgjimet mes Ballukut dhe vartësve të saj është mënyra sesi ky personazh komunikon për shefin e saj mbrapa krahëve, duke treguar qartazi mënyrën sesi funksionon ajo.

Belinda është përfaqësuesi më e denjë e zhulit dhe mosmirënjohjes, e cila nga një personazh anonim, e pashkollë, injorante dhe e paditur është ngritur në piedestalin e njeriut më të fuqishëm të shtetit në sajë të Palloshit kryeministër. Në vend të respektit hierkakik, ajo e ka shndërruar kryeministrin e saj në një personazh butaforik dhe humoristik me llagape që nuk janë të denja as për nivelet e rrugës. Shteti është vënë nën këmbët e një tufe dallkaukësh drejtorë dhe nga kjo kapobandë që ul nivelin e kryeministrit të saj si të jetë një karagjoz i rëndomtë, në komunikime banditësh që bëjnë plane si të grabisin nëpërmjet tenderëve taksat e shqiptarëve.

Nuliteti Balluk i katapultuar në sferat më të larta të shëtit falë Edi Ramës, është pasqyra më e denjë e një pushteti që ka degraduar prej kohësh. Personazhi i fandaksur pas telenovelave turke ku personazhet si Ezeli frymëzojnë shpirtin e saj të varfër me intriga të rëndomta, intriga që zënë rrënjë thellë në trurin e saj të varfër pa kapacitet përpunues, ka shndërruar qeverisjen në një telenovelë me Ezelë dhe Palloshë, ku kryeministri trajtohet si një idiot i dobishëm nga intrigantja e oborrit.  Ajo ka shtrirë metastazat e ligësisë brenda rrënjëve të shtetit duke infektuar një sistem të tërë si një murtajë e frikshme. Nëpërmjet injektimit të parave të pista ka blerë mediat, të cilave ju ka mbyllur gojën dhe nëpërmjet banditëve që e suportojnë, mbjell frikë të kundërshtarët e saj.

Një pushtet mediatik i shtrirë në këmbët e kësaj kapobande u zgërlaq para dilemës nëse do ta transmentonte apo jo lajmin e thirrjes së saj në SPAK. Për një javë rresht zhuli gazetaresk u mundua ta përgënjeshtronte, duke sulmuar ato dy apo tre medie që zbardhën lajmin, duke hedhur baltë pafund për ta shndërruar në një fake news konspirativ.  Tashmë që gjithçka është konfirmuar dhe kapobandës së Edi Ramës po i shtohen akuzat nga dita në ditë, po dalin në skenë idiotët e dobishëm mediatikë si Baton Haxhiu, të cilët hodhën idenë e korrupsionit gjeostrategjikë për të blerë mbështetjen e Erdoganit me paratë e shqiptarëve. Vanitet mediatik dhe mizerabilitet politik.

Tashmë që gjithçka ka ndodhur dhe Palloshi i Gjatë është në qendër të skandalit dhe pritet ti dalin dita ditës bomba nga përgjimet e Hyrremit të oborrit të tij, situata në qeverisje është shumë eksplozive. Ndërsa kapobanda ndodhet me shpatulla për muri përballë drejtësisë shqiptare, standardet e vendosura nga Palloshi i Gjatë nuk kanë vlera. Balluku  nuk largohet nga qeverisja dhe ja ka bërë të qartë se nëse e shkarkojnë do ta marrë dhe Palloshin me vete. Për Edi Ramën qeverisja me Ballukun brenda është një minë me sahat që i hedh në erë teorinë e kumbullave dhe dardhave me të cilën u justifikua për paraardhësin e saj.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ose Palloshi i Gjatë i zëvendëskryeministres duhet të sqarojë dilemën sa më parë dhe të qërrojë nga qeverisja këtë monstër që çdo ditë e më shumë po ja gërryen dhe atë pikë gëlqere që i ka mbetur në suvanë e tij të qeverisë./sot