Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim penal për shpërdorim detyre, pas kthimit të dosjes nga gjykata.
Mes personave të kallëzuar janë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-nënkryetari Arbjan Mazniku, ndërkohë që hetimi po ndiqet nga prokurori Elvin Gogaj.
SPAK kishte kërkuar fillimisht pushimin e çështjes, por gjykata e posaçme urdhëroi rihetim. Çështja lidhet me shembjen e banesave në zonën e “5 Majit” gjatë vitit 2022, që nuk ishin dëmtuar nga tërmeti, në kuadër të një projekti për rindërtim dhe rikualifikim urban.
Vendimi i kontestuar për prishjen e 170 banesave në zonën e “5 majit”, që nuk ishin dëmtuar nga tërmeti, krijoi një tjetër grup të madh të pastrehësh. Ky vendim la pa një çati mbi kokë 222 pronarë, një pjesë me banesa të hipotekuara dhe një pjesë tjetër në proces legalizimi.
Në një dalje publike të datës 20 janar 2022, në atë kohë zëvendës kryetar bashkie i Tiranës, Arbian Mazniku i premtoi banorëve të “5 Majit“ se secili prej tyre do të kishte një objekt më të mirë dhe më të shtrenjtë, se ai që kishin aktualisht, por kjo nuk ndodhi kurrë.







