Ballina Rajoni Greqia ashpërson masat për armëmbajtjen pa leje në Kretë pas vrasjeve në...

Greqia ashpërson masat për armëmbajtjen pa leje në Kretë pas vrasjeve në Vorizia, dënime deri në 10 vjet burg

76
0

Në një nismë të fuqishme, Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Mihalis Chrysochoidis, ka shpallur sot masa të ashpra për të luftuar armëmbajtjen pa leje dhe përdorimin e armëve si dhe për të shtuar sigurinë në ishullin e Kretës.

“Nuk do të lejojmë që të bëjnë ligjin në ishull njerëzit e dhunshëm,” ka theksuar ai nga qyteti Irakleio I Kretës.

Masat kanë ardhur pas një ngjarjeje tronditëse në fshatin Vorizia,javën e kaluar, ku në një përplasje e me armë për ndasi prone dhe hesape të vjetra mes dy familjeve janë vrarë dy persona dhe janë plagosur 5 të tjerë.

Për të përballuar këtë sfidë, Chrisohoidis njoftoi një plan masash, përfshirë forcimin e policisë dhe prëforcimin e njësisë së posaçme, njohur si ‘FBI-ja greke’ në ishull, që do të luftojë krimin e organizuar. 122 oficerë të rinj policie do të bashkohen me forcat e sigurisë në Kretë.

Do të luftojmë me çdo mjet për të ndaluar përdorimin e armëve në ngjarje familjare si dasma, pagëzime apo vdekje-ka thënë ai.

Sipas masave të reja ,ndryshon ligji dhe rriten dënimet për ata që mbajnë armë të paligjshme. Ata që shkelin ligjin do të përballen me dënime më të ashpra, përfshirë burgim deri në 10 vjet.

Këto masa synojnë të rikthejnë sigurinë në zona të caktuara të ishullit, ku zakonet e vjetra, të papranueshme për një vend europian, jo vetëm që nuk janë lënë pas , por vazhdojnë të rruhen dhe të mos dënohen.
Ndërkohë policia, në bashkëpunim me “FBI-në greke”, vazhdon hetimet për përplasjen e armatosur në Vorizia .

Deri tani janë arrestuar shtatë persona të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje – disa në flagrancë dhe disa me urdhra arresti. Një 17-vjeçar dhe babai i tij 56-vjeçar, të ndaluar fillimisht, janë liruar më pas.

Dy nga të arrestuarit, 25 dhe 30 vjeç, janë lënë në paraburgim pas dëshmisë në gjykatë.

Në kuadër të hetimeve janë kryer 27 kontrolle në banesa, 21 në stalla dhe prona rurale, 17 shoqërime për marrje në pyetje dhe 352 kontrolle ndaj personave dhe automjeteve, ku janë konstatuar edhe shkelje të shumta rrugore.

Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar armë, municione dhe objekte të tjera, që po analizohen në laboratorët kriminalistikë.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rastit.