Ballina Dossier Boksieri Ymer Reçi: Durrësi ishte krenaria boksit shqiptar, sot pa lavdi dhe...

Boksieri Ymer Reçi: Durrësi ishte krenaria boksit shqiptar, sot pa lavdi dhe pa ekip

82
0

Bulevard news*

Një emër i madh

Ymer Reçi është emër shumë i njohur për të gjithë brezat e sportistëve dhe të ardhuruesve të sportit.Boksimin e nisi në moshën fëmijërore për t’u  bërë shumë shpejt idhull për trajnerë, boksierë dhe sportdashës. Karriera e tij sportive është e mbushur me ballafaqime interesante, trofe, lavde dhe stimuj. Emri i tij nisi të qarkullonte fillimisht nëpër rrugët e rrugicat e lagjeve, sheshet, kafenetë dhe palestrat e Durrësit mes moshatarëve, të rriturve dhe specialistëve të sportit. Më pas ringu i dha shumë gëzime e kënaqësi pasi u bë shumë i adhuruar nga Shkodra deri në Vlorë. Me pjekjen e boksierit Reçi në fushën e rëndë tëringut, nisën të shtoheshin trofetë brenda e jashtë vendi për të shënuar edhe kulme sportive. Pas Todi jankut është më i suksesshmi boksier në ballafaqime kombetare dhe ndërkombëtare. Ndalimin e sportit të boksit e mësoi nga Ahmet Shqarri, emër shumë i madh i sportit shqiptar dhe e përjetoi shumë keq si dhe të gjithë boksierët. Për vite të tëra do t’i duhej të jetonte vetëm me kujtimet, me ato pak foto dhe sidomos me takimet mes boksierëve duke sjellë ndër mend edhe fitoret në Armeni, Moskë (BS), Gjermaninë Lindore, Hungari. Përmbysja e sistemit komunist në Shqipëri ringjalli besimin në ringirtjen e sportit të boksit. Për dhjetë vite bashkë me veteranë të tjerë të këtij sporti nisën të përgatisin të rinj, një pjesë e të cilëve u bënë të papërmbajtur në ring siç ishte boksieri Antonet Rrapushi i njohur ndryshe Kasius Klej shqiptar. Por edhe këtë herë, ashtu si dhe në kohën e regjimit të kaluar, nuk zgjati shumë dhe Reçi u detyrua të heq dorë. Ndërsa në rastin e parë qenë rrethanat politike të kohës, këtë herë, në vitin 2002 ishte verbëria politike e administratës. Sot Ymer Reçi flet me dhembje për shuarjen e klubit dhe ekipeve të boksit në qytetin e Durrësit, qytet që në vitet 1950 ishte më i madhi dhe më i forti në nivel kombëtar. Por Reçi si sportist dhe mësues i boksit vazdhon të punojë. Këto ditë ai do të niset në një turne për në Beograd të Serbisë. Boksieri Reçi është caktuar nga trajneri Skënder Kurti i “Tirana” si përgjegjës i këtij ekipi me të cilin do të kërkojë të kthehet në kryeqytetin shqiptar me trofe.

Në vitet që ikën…

Vetëm në Rusi rrinin lirshëm pasi në atë kohë dy vendet dhe pupujt ishin në miqësi të madhe e të plotë. Ndryshe qëndronte situata në rastet e takimeve sportive në Hungari e në Gjermani. Ekipi shqiptar përbëhej në këto takime ndërkombëtare nga 14 sportistë të boksit. Me ta ishte trajneri Ali Kastrati, kurse Mehmet Kryeziu qe ndihmëstrajner. Të gjithë shoqëroheshin nga punonjësi i sigurimit të shtetit shqiptar që në organikë njihej përgjegjës i ekipit. Ishte oficer sigurimi me shkollë të përfunduar. Nuk kishte nevojë t’u kujtonte ndokush boksierëve që ata të tregonin kujdes, pasi e dinin mirë se çdo gabim u kushtonte rëndë dhe askush nuk do të guxonte t’i merrte në mbrojtje. Me ekipin e boksit nuk ndodhi ndonjë incident. Reci kujton se si gjatë kohës që po vizitonin disa lokale e supermarkete në Gjermani, ndodhi që u shkëputën nga pjesa tjetër dhe humbën për 2-3 orë. Ky veprim ndoshta mund t’u kushtonte shumë. Ai kishte adresën e hotelit dhe shënime të tjera orietuese, ndaj nuk qe e vështirë për t’iu bashkuar përsëri grupit. Boksieri nga Durrësi nuk pësoi ndonjë ndëshkim. Frika ishte se mos të rinjtë shqiptar do të guxonin të arratiseshin, të kalonin në Gjermaninë Perëndimore dhe kjo do u kushtonte shumë të gjithëve. Reçi tregon se në udhëtimet e tyre jashtë vendi terreni përgatitjes, stërvitjeve, mjediset e rregullta dhe ushqimi i zgjedhur bënin diferencimin me atë që ndodhte në Tiranë e Durrës. Boksierët kishin dopio dietë. Gjatë ballafaqimeve kombëtare ai kujton se dieta ishte 40 lekë dhe quhej dopio, me ushqim, fryta e lëngje.por krahasur me kushtet e gjermanëve, hungarezëve, armenëve dhe rusëve ishin shumë, shumë larg, jo vetëm trajtimi ushqimor, para së gjithash kushtet e stërvitjes dhe mënyra se si trajtoheshin sportistët. Boksierët shqiptarë nuk ishin profesionist. Punonin të gjithë. Edhe Reçi punonte në kantierin detar. Vetëm në rastet e grumbullimit të ekipit kombëtar kishte dietë. Sportin e ndërpeu  në moshën 23 vjeç, në vitin 1963, kohë që sporti boksit u ndalua të ushtrohej si i tillë. Për herë të parë Reci e ka dëgjuar nga Ismet Bellova pëshpëritjen se qeveria shqiptare do e ndalonte ushtrimin e boksit. Bellova ia tregoi këtë sekret edhe Ymer Reçit dhe lajmi u prit keq pasi në Shqipëri ishin krijuar shumë klube, ekipe dhe ata përgatiteshin itensivisht dhe seriozisht për ballafaqime ndërkombëtare. Durrësi e ringjalli traditën pas përmbysjes së sistemit komunist, në verën e vitit 1990 për ta vazdhuar për një dekadë. U krijuan ekipe shumë të mira. Ishin tre-katër boksierë: Ymer Reçi, Hekuran Zhgaba, mësues fiskulture Lutfi Bagoi dhe Abaz Zalla që ngritën ekipin nga themelet për ta dërguar drejt trofeve si dikur në vitet 1950, apo 40 vite më parë. U ndanë me grupmosha. Të rinjtë dhe pionierët fituan kampionatin kombëtar dhe një pjesë e tyre kaluan në sportin e boksit kombëtar. Shefja e klubit shumësportësh i hoqi të gjithë, të parin Ymer Reçin si mbështetës i ndryshimeve demokratike, si demokrat. Reçi e la përgatitjen, edhe të tjerët ikën e u shpërndanë. Sot Durrësi nuk ka ekip boksi. Reci thotë se nuk e do askush në Durrës ngritjen e ekipit të boksit. Ai bën të ditur se mungesën e vullnetit e ka ndeshur gjithandej dhe kjo ngase gjërat funksionarët e pushtetit lokal i shohin me skepticizëm. “U shkatërruar çdo gjë. U zbeh dëshira, vullneti, këmbëngulja. Nuk ka më trajner dhe as sportistë. Shkodra ka kaq vite kampione dhe merr pjesë në ballafaqime ndërkombëtare profesionistësh”-kujton boksieri e trajneri Reçi i cili e ka të pamundur të fshehë trishtimin.

Intervista 

Boksimin e keni nisur në moshën 12 vjeç, ndërsa shumë shpejt jeni shpallur kampion…

Boksimin e parë e bëra në vitin 1953, asokohe isha 14 vjeç. Isha me ekipin e pionierëve. Dola kampion në tre gurpmoshat. Trajneri ynë ka qenë Ilmi Reka, një sportist shumë i njohur në Durrës dhe në të gjithë vendin. Reka është ndër boksierët më të mëdhenj shqiptar të viteve 1947-1950.  Ishte trajneri dhe mësuesi ynë më i miri dhe më i rrepti. Fitoret erdhën një pas tjetrës. Tek mosha e të rinjve dola tri herë kampion. Pasi boksieri kalonte moshën 16 vjeç kalonte tek të rriturit dhe unë sapo i mosha të 16 vitet u bëra pjesë e ekipeve të moshës së rritur. Këtë e fitova jo për shkak të moshës por për arsye se çdo boksier që kishte fituar 3 trofe e kalonte këtë fazë dhe unë isha njëri prej tyre.

Vazhduat të mbanit vendin e nderit si fitues edhe me të rriturit?

Me të rriturit dola fitues gjashtë herë në kampionatin kombëtar. Këto medalje i fotova në pesha të ndryshme. E fundit ka qenë pesha 63 kg e njohur si e mesme. Kam dalë fitues edhe tek 60 kg, tek pupla… Edhe tek të tjerat si këndezi e miza. Këto quheshin peshat kryesore në kampionatin e boksit. Tani nuk janë më ato emërtime për të cilat ne luftonim. Po të rendisim peshat e asaj kohe kanë qenë: mizë, këndes, pupël, e lehtë dhe gjysëm e mesme.

Kujtoni disa nga emrat e boksierëve me të cilët jeni ndeshur për të fituar kampionatin kombëtar.

Met Golemin boksier e më pas gazetar, Kastiot Kordoni i Tiranës , Todi Janku, Cen Sharra, Dhimitër Cakalli, Shpresim Bregu, Niko Mile i Korcës, dy vëllezërit Halili nga Shkodra, Dërvish Havollia që iku në ish- Jugosllavi më vonë dhe disa boksierë të tjerë. Ekipet më të forta kombëtare të boksit në atë kohë kanë qenë Durrësi, Shkodra e Tirana. Durrësi ishte më i madhi dhe më kryesori, kishim gjashtë boksierë të nivelit kombëtar. Tek- tuk kishte Korça e Vlora. Më të mirët e boksit durrsak kanë qenë Hysen Sharra, Mustafa Allushi, Ramiz Reka, Në takime jashtë vendi merreshin këta boksierë. Ekipi në raste të tilla kishte 10 boksierë dhe tre të tjerë në ndihmë për të zëvendsuar peshat. Durrësi ishte vendi që prodhonte sportistë. E kam fjalën këtu për atletë, çiklistë, mundësa, boksierë, futbollistë, notarë. Mjafton t’u kujtoj se Durrësi edhe sot nderohet nga emrat e tillë si Ruf Kazazi, Dilaver Cara, Abdulla Duma, Dashamir Rama, Hysen Sharra, Xhavit Sharra, Mirban Kadiu, Jani Kurti, Rexhep Gojani e të tjerë.

Ndodhte që në atë kohë të shiteshin ndeshjet e boksit?

Kishte raste që bëheshin edhe të tilla veprime. Unë nuk e kam bërë kurrë dhe për shkak të natyrës sime nuk ka ndodhur që ndokush të më kërkojë t’ia lë ndeshjen. Për rastet e shitjes dua të kujtoj se atëherë nuk kishte shitblerje me lekë, por përmes lutjeve për të ruajtur vendin e punës, për të kërkuar transferime nga një vend pune në një tjetër apo nga një qytet në drejtim të Tiranës. Ndodhte që ndeshja i lihej kundërshtarit edhe për një rast fare të thjeshtë, p.sh kur boksieri ia kërkonte për t’ua bërë qejfin prindërve. Unë jam ndeshur me vëllanë për titullin kampion dhe nuk ia kam lënë e as nuk ma ka lnëe ndeshjen. E kam fituar me pikë me shumë vështirësi. Vëllai doli në vendin e dytë.

Ju kujtohet përballja me vëllanë tuaj në ring

Vëllai quhet Besnik Reci. Ishte viti 1957. Kampionati u bënë Shkodër. Unë isha përfaqësues i ekipit të Durrësit. Nuk kisha shkuar ende ushtar. Në vitin 1959, dy vite më pas, shkova në shërbimin e detyruar ushtarak. Vëllai ishte ushtar dhe e pati marrë ekipi “Dinamo”. Ky ekip dhe “Partizani” ndanin mes tyre sportistët më të mirë në të gjitha sportet duke ndarë ata që shërbenin në polici nga ata të ushtrisë. Me këtë kontigjent krijuan edhe ekipet që ishin më të mirat në vend pasi ishin më të zgjedhurit. Ai fitoi në grupin e tij mes 8 boksierëve për të dalë në finale. Unë dola kampion në grupin tim.  Kështu u ndeshëm ne si vëllezër për titullin kampion dhe për nënkampion. E fitova me pikë. Është vlerësuar si një nga ndeshjet më të bukura të kampionatit shqiptar të boksit. Ishte vërtetë spektakël. Ne nuk ia falëm asnjërit pikët. Ishte boksim 3 x 3.

Në sa takimet kombëtare e ndërkombëtare keni marrë pjesë?

Me gjithë takimet me ekipin e të rinjve kam marrë pjesë në dhjetë kampionate kombëtare.Me të rriturit kam marrë pjesë në gjatë kampionate. Në takime ndërkombëtare kam marrë pjesë në shtatë ballafaqime. Jam ndeshur me boksierë rus, gjerman, hungarez. Kam fituar katër përballje dhe kam humbur me pikë tre ndeshje. Bilanci ka qenë pozitiv dhe në të gjitha takimet kemi bërë figurë shumë të mirë e të vlerësuar nga shtypi huaj. Për të parën herë në takim ndërkombëtar jam nisur për në Rusi pa mbushur 19 vjeç, isha pak më shumë se 18 vjeç. Nuk kisha shkuar ende ushtar. Kur u ktheva vazdhova shërbimin ushtarak. Ishte hera e parë. Kjo më emociononte dhe më bënte optimist për të bërë gjithçka që ta fitoja ballafaqimin. Me Rusinë në atë kohë shkonim shumë mirë dhe për këtë arsye lëvizja jonë sa andej, këndj ishte e lirë, pa asnjë lloj kontrolli a survejimi. Nga Moska shkuam në Erevan të Armenisë. Dy ndeshje bëra atje dhe i fitova të dyja. Me pikë i fitova. Quheshin takime ndërkombëtare. Takimi ishte i pastër, pa hile, pa lëshime dhe me shumë dualitet. Kisha cilësi të mira sportive që ishin tregues me mjaft vlerë edhe për boksierë evropian e botërorë. Po të ishte asokohe  liria e sotme, shkonim në kampionate të mëdha dhe me peshë. Në Gjermani na mori për stërvitje një trajner vendës. I përkiste kombëtares gjermane dhe asistenti tij. Gjermania në atë kohë merrte pjesë në Lojra Olimpike. Për disa ditë qemë nën drejtimin e tij në stërvitje. Mbaj mend se në fund të ditëve të përgatitjes dhe stërvitjes më ka thënë se ne kishim nevojë për përgatitje teknike pasi përgatitjen fizike dhe energjinë e kishim shumë të lartë. Atje, në Gjermani u përfaqësuam me Todi Jankun, Hysen Sharra, Mustafa Allushi dhe gjatë gjithë kohës diskutonim për anën teknike. Na mungonte eksperienca.

Kë do të veçoje për trajnerin më cilësor në sportin e boksit?

Njoh disa trajner që edhe vet ata kanë qenë boksier. Por unë mund të jap mendime për trajnerët që më kanë stërvitur mua. Konkretisht më duhet të them me plot bindjen se trajneri im Ilmi Reka ka qenë shtytja e parë dhe e fortë për t’u marrë me boks. Kur shkova ushtar kisha Ali Kastratin për katër vite, figurë shumë e madhe e sportit shqiptar. Me të mbaruar ushtrinë nuk ndenja në Tiranë tek “Partizani” dhe erdha në Durrës.

Boksonit të mbrojur në kokë e fytyrë, apo ballafaqimi ishte pa masa mbrojtëse?

Kemi qenë fare pa mbrojtëse. Ka qenë e çuditshme koha jonë, pa ruajtur kokën dhe as fytyrën. Pa kokore fare, pa proteza dhëmbësh. Kishim doreza boksi. Nuk njiheshin asokohe. Tani gjërat janë ndryshe si në masat mbrojtëse, edhe në trajtimin e përgjitshëm dhe atë ushqimor. Ndodhte që kishte edhe ndëshkime fizike, varej shumë se si boksieri mbrohej e godiste, si i shmangej boksit, si zbuste goditjen për të mos marrë boksim me potencë… .

Kujtoni ndonjë episode të ballafaqimeve me të huaj?

Me kampionin e Hungarisë Fyzezhi Zoltan u ndesha në kushte të pabarabarta pasi ai ishte jo vetëm  i ardhur nga shkollë boksi, por edhe në peshë, gjatësi e moshë më i madh sesa unë. Ishte nga të gjitha anën në paraqitje më lart. Trajneri hungarez i kërkoi trajnerit shqiptar që të gjente për në ring një boksier tjetër duke treguar trupin tim të vogël dhe ende të papjekur plotësisht për shkak të moshës shumë të re. I dukesha jo vetëm i vogël, por edhe kalama. Isha peshë 63. 5 kg dhe trajner kisha Ali Kastratin. Trajneri ynë i tha hungarezit të tregohet i kujdesshëm dhe të mos nisej nga mosha dhe paraqitja pasi unë si sportist në syrin e gjykimin e tij kisha tregues shumë të mirë. Unë nuk i kisha mbushë 19 vitet, ai ishte 23 vjeç dhe rreth 30 cm më i gjatë. U peshuam. Pesë me pesë sportisit. Ndeshja ime qe interesante edhe për spektatorin. Stadiumi qe në mbështetjen tonë. Të mos harrojmë se boksieri hungarez Zoltan kishte zhvilluar deri në ato çaste 90 takime të nivelit kombëtar e ndërkombëtar dhe kishte fituar 87 prej tyre. Pastaj Hungaria i kushtonte shumë rëndësi këtij sporti. Megjithatë ekipi ynë pati paraqitjen shumë cilësore. Unë isha 1.63 cm, i shkurtër dhe kjo qe një arsye më shumë pse stadiumi u ngrit në këmbë. Pas përfundimit të ndeshjes Bujar Kapexhiu në revistën “Hosteni” bëri një karikaturë. Ai ishte durrsak dhe ne njiheshim. Në atë karikaturë unë ngjitesha në shkallë për t’i rënë me grusht boksierit hungarez. Pasi e pashë i dola në rrugë dhe u grinda me Bujarin. Ai qeshi me të madhe dhe më pas më shpjegoi domethënien e karikaturës.

Ju jeni marrë me boksin, por këtë herë si trajner, pas viteve 1990, kohë që boksi u rikthye në lavdinë e mëparshme.

Shumëkush ka arsyet e veta për gëzimin që ka ndier pas rrëzimit të sitemit të kaluar. Unë U gëzova pasi pata shpresë dhe besim se do të ringrejë boksin. Bashkë me miq të mi të sportit hodhëm hapat e para. Për dhjetë vite gjërat ecën mirë e shumë mirë, deri sa me një urdhër të shefes së sporteve në bashkinë e Durrësit unë e të tjerë u larguam nga puna ngase kishim mbështetur proceset demokratike. Në këtë rast ne nuk humbën gjë, por boksi humbi pasi edhe tani pas më shumë se 10 vitesh Durrësi nuk ka asnjë ekip boksi. Në kujtesë më kanë mbetur të rinjtë që përgatita dhe ndër ta do të më pëlqente të veçoja boksierët E. Gaba, A. Tonuzi, L. Gega, A. Rrapushi e të tjerë. Ky i fundit, Rrapushi është cilësuar edhe si Kasius Kleji shqiptar.

Ymer Reçi vitlindja 1939, Durrës

12 vjeç sportist boksi

14 vjeç kampion kombëtar

96 ndeshje me boksin

89 ballafaqime sportive në kampionatin kombëtar

7 takime ndërkombëtare, 4 pret të cilave me fitore

6 herë kampion i Shqipërisë

18 vjeç Mjeshtër Sporti

Mjeshtër i merituar

Krenaria e sportit shqiptar

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!