Ballina Politika Zgjedhje të pjesshme sa për sy e faqe. Qeveria në garë me...

Zgjedhje të pjesshme sa për sy e faqe. Qeveria në garë me veten, opozita me “pushime”

52
0

Sot, më 9 nëntor, qytetarët e pesë bashkive të vendit — Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë — i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive të tyre.

Në total janë 334.539 zgjedhës me të drejtë vote, por vështirë se shqiptarët do të angazhohen në këto zgjedhje ku fituesit duken të paracaktuar. Edi Rama bëri thirrje që në mëngjes që votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre, ndërsa nga selia e PD-së nuk ka asnjë reagim prej ditësh për këtë proces. Partia më e madhe në opozitë nuk ka regjistruar asnjë kandidat të sajin, ndërsa Berisha ka deklaruar se opozita do të mbështesë kandidatë të pavarur — gjë që me gjasë është një e pavërtetë e madhe, duke parë se sot populli opozitar në pesë bashki nuk ka asnjë lloj përfaqësimi.

Me 300 mijë votues, PD kishte sot shansin të provonte forcën e saj përballë një qeverie të gërryer nga skandalet. Pavarësisht pretendimeve të saj për “masakër elektorale”, PD ose duhet të ishte përfaqësuar denjësisht me kandidatë në këto zgjedhje, ose të kishte deklaruar hapur bojkotin e tyre. Përndryshe, duke qëndruar si fasadë e mazhorancës, sot PD me heshtjen e saj thjesht noterizon një garë me fitues të paracaktuar në zyrën e Edi Ramës.

Vështirë të kuptohet se ç’kuptim ka të shkosh në një parlament monist, ku nuk ke të drejtë as të debatosh për programin e qeverisë, të marrësh pjesë në komisione të përbashkëta parlamentare me PS-në për “reforma” që s’kanë funksionuar kurrë, dhe njëkohësisht të bojkotosh zgjedhjet e pjesshme lokale, duke lënë mijëra qytetarë të zhgënjyer nga mazhoranca pa përfaqësim.

Busulla e humbur politike e PD tashmë qartas ka humbur kontaktin me realitetin, me të vërtetën dhe me qytetarët e thjeshtë — duke u kthyer thjesht në një orientuese për interesat e atyre që duan një karrige deputeti në opozitë, apo një dritare e ballkon nga ku të ankohen për qeverinë, me shpresën se ajo do t’i mbajë të emëruar si “opozitarë”./vna