Nga Klevis Bakillari
Prej kohësh, opozita i ka përsëritur qytetarëve një ide të vetme, të thjeshtë, por vdekjeprurëse: se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Se çdo proces është farsë, çdo rezultat i paracaktuar, çdo përpjekje e kotë. Kjo nuk është më retorikë politike; është doktrina e dorëzimit.
Në vend që të ringjallte frymën e rezistencës, opozita u bë profetja e pafuqisë. Në vend që t’iu thoshte njerëzve “shko voto, sepse vota jote ka peshë”, ajo u tha “mos voto, sepse gjithsesi do të të vjedhin”. Dhe qytetarët e dëgjuan. Jo sepse e besuan Edi Ramën, por sepse humbën besimin te mundësia e ndryshimit.
Kështu, depresioni u bë program politik.
Zgjedhjet e pjesshme për pesë bashkitë ishin një test i vogël, por me peshë të madhe për opozitën shqiptare. Dhe rezultati doli tronditës jo për nga shifrat, por për nga mesazhi: opozita nuk është më alternativë, por simptomë e një dorëzimi kolektiv.
Në fakt, qytetarët nuk refuzuan demokracinë. Ata refuzuan depresionin politik që opozita u imponoi.
Pasi dëgjuan pafund që zgjedhjet janë të vjedhura, që gjithçka është e mbyllur, që s’ka kuptim as përpjekja ,njerëzit zgjodhën rrugën më logjike të një të dëshpëruari: qëndruan në shtëpi.
E vërteta e hidhur është kjo: nëse Edi Rama mund t’u ketë vjedhur votat, atëherë Sali Berisha u ka vjedhur edhe ëndrrat.
Dhe kjo është një vjedhje shumë më e rëndë. Sepse pa ëndrra, pa besim, pa ndjenjën se ndryshimi është i mundur, as vota nuk ka kuptim.
Opozita shqiptare sot është e ngujuar në një narrativë humbjeje që e ka kthyer në aktor pasiv të sistemit që pretendon të rrëzojë. Ajo nuk kërkon më pushtet për të ndryshuar, por për të mbijetuar. Nuk flet për të ardhmen, por për hallet e vetes. Nuk ngre flamuj idesh, por flamuj frike.
Rezultatet e 5 bashkive janë pasqyra e këtij realiteti: qytetarët nuk i besojnë më as mazhorancës, as opozitës. Por ndryshe nga qeveria, opozita nuk ka luksin e mosbesimit. Sepse opozita që nuk frymëzon, nuk është opozitë;është zgjatim i pushtetit që thotë se lufton.
Në fund të fundit, zgjedhjet nuk humbën nga manipulimi, por nga dorëzimi. Dhe ajo që duhet të tronditë opozitën nuk është fitorja e Ramës, por mungesa e njerëzve të vet.
Ata që dikur dilnin për ideal, sot nuk dalin as për inat. Ata që dikur besonin te ndryshimi, sot nuk besojnë as te vota. Dhe ky është dështimi më i madh që një forcë politike mund t’i bëjë vendit të vet: ta bindë se s’ka shpresë.
Nëse Edi Rama ka ndërtuar një sistem që kontrollon pushtetin, Sali Berisha ka ndërtuar një narrativë që kontrollon dorëzimin. Dhe bashkë, kanë prodhuar Shqipërinë e sotme: një vend ku qytetarët nuk luftojnë për të fituar, sepse janë bindur se humbja është e paracaktuar.
Por humbjet nuk janë kurrë të paracaktuara,përveç atyre që nuk provohen të fitohen.






