Kryeministri Edi Rama nuk i ndahet idesë për të zëvendësuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, me Ogerta Manastirliun. Edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi të mos lejojë zgjedhjet në kryeqytet më 9 nëntor, duke e lënë Veliajn në detyrë, Rama po e konsolidon rolin e Manastirliut në drejtimin politik të Tiranës.
Gjatë një takimi me strukturat socialiste në njësinë nr. 5, Rama foli për situatën e krijuar pas arrestimit të Veliajt dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se “Tirana nuk mund të humbasë kohë” dhe bashkë me Ogertën do të vazhdojnë të takojnë qytetarët.
“Gjykata Kushtetuese doli me një vendim nga i yni, nuk kam arsye të dyshoj që e kanë parë nga një këndvështrim të arsyeshëm, pavarësisht se është i kundërt me tonin. Deri atëherë jemi këtu, ju jeni këtu, dhe qytetit i duhet të pastrohet e të funksionojë normalisht. Po e mbështesim bashkinë që të bëjë më të mirën për buxhetin dhe për këtë arsye menduam me Ogertën si drejtuesja politike e qarkut por edhe si deputete e Tiranës që të vazhdojmë të komunikojmë në këto dëgjesa”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se takime të ngjashme do të vijojnë në gjithë territorin e Tiranës, së bashku me Ogerta Manastirliun, për t’u njohur me problematikat e komunitetit. Një lëvizje që jep përshtypjen e vijimit të fushatës për zgjedhje në bashkinë e kryeqytetit.







