Familja Çokaj ka bërë një kallëzim në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore për 4 punonjës të policisë Malësi e Madhe lidhur me Mirel Çokaj që u gjet i pajetë në një humnerë në fshatin malor Kozhnje.
Familjarët kanë dyshime të forta se Mirel Çokaj është vrarë nga bashkëpunëtorët e tij me të cilët kishte një parcelë droge që më pas policia e asgjësoi. Ngjarja ndodhi më 18 shtator ndërsa trupi i pajetë u nxor nga humnera një ditë më pas nga Forcat e Ushtrisë që erdhën me një helikopter.
Katër efektivët janë denoncuar nga familja Çokaj për shkak se sipas tyre nuk kanë kryer procedurat hetimore dhe kanë dyshime se kanë shpërdoruar detyrën duke mos vepruar siç duhet për mbledhjen e provave dhe hetimin e kësaj ngjarje të rëndë.
Policia e Malësisë së Madhe dhe më pas drejtoria vendore e Shkodrës e kanë raportuar si ngjarje aksidentale fillimisht por familja që në momentet e para ka dyshuar se Mirel Çokaj është vrarë dhe nuk ka rrëshqitur në mal siç u pretendua në fillim.
Ndërkohë prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” duke mos pushuar e çështjen që policia e referoi si aksidentale
Organi i akuzës ka ngritur dyshimet e veta pas denoncim të familjarëve dhe është duke marrë në pyetje të gjitha palët si dhe duke mbledhur të gjjtha provat e mundshme për të vërtetuar se a kemi të bëjmë me një vrasje apo jo.
Nëna dhe motra e viktimës bashkë me një kushëri të tyre në SHBA, ish oficer policie edhe publikisht kanë deklaruar se janë të bindur për një vrasje të Mirel Çokaj nga bashkëpunëtorët e tij në parcelën e drogës dhe kërkojnë me ngulm që kjo çështje të zbardhet plotësisht dhe sipas tyre të marrin drejtësi dhe autorët të dënohen.
Familjarët pretendojnë se e kanë vrarë për të mos i dhënë hisen që i takonte duke qenë se bimët narkotike ishin në prag të korrjes dhe thuajse gati për t’u shitur.
Tashmë përveç denoncimit në prokurori familja Çokaj ka ndërmarrë edhe këtë hap tjetër duke bërë një kallëzim në AMP për 4 punonjësit e policisë të Malësisë së Madhe, dy oficerë krimesh dhe dy të tjerë trupë shërbimi të komisariatit atje. Kallëzimi është dërguar me postë nga familjarët tek AMP.
AMP do ta shqyrtojë këtë rast për të parë nëse ka patur shkelje të procedurave hetimore apo abuzim dhe shpërdorim detyre nga ana e 4 efektivëve.







