Ballina Rajoni Kosova dhe Greqia me Memorandum Bashkëpunimi në turizëm

Kosova dhe Greqia me Memorandum Bashkëpunimi në turizëm

66
0

Në Selanik është nënshkruar sot Memorandumi i Bashkëpunimit mes Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK) dhe Federatës Greke të Turizmit FedHATTA, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet turistike mes Kosovës dhe Greqisë.

Sipas njoftimit të UTK, Memorandumi synon të forcojë partneritetin profesional ndërmjet dy organizatave dhe të krijojë baza të qëndrueshme për zhvillimin e përbashkët të sektorit të turizmit.

“Marrëveshja përfshinë rritjen e bashkëpunimit profesional, zhvillimin e paketave të përbashkëta turistike, shtimin e fluksit të turistëve në të dy vendeve si dhe organizimin e panaireve, eventeve B2B dhe aktiviteteve promocionale të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Kjo arritje thuhet se u mundësua falë angazhimit të Unionit të Turizmit të Kosovës, si dhe mbështetjes së Ambasadorit të Kosovës në Greqi, Fitim Gllareva, dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Tutje theksohet se Memorandumi konsiderohet një hap i rëndësishëm për industrinë e turizmit dhe një sinjal i qartë pozitiv në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Greqisë.