Shqipëria merr pjesë nga data 17-19 nëntor në Panairin Ndërkombëtar “Organic & Natural Products” që zhvillohet në Dubai, një nga ngjarjet më të rëndësishme në rajon për sektorin e produkteve bio, organike dhe natyrale. Aktiviteti përbën një mundësi të çmuar për bizneset shqiptare që të prezantojnë cilësinë, origjinën dhe potencialin e produkteve vendase në një treg global me kërkesë të lartë dhe standarde të larta.
Në stendat e Shqipërisë po ekspozohen disa prej kategorive më të kërkuara të eksporteve shqiptare: bimët mjekësore dhe vajrat esencialë, vaji i ullirit extra i virgjër, lëngjet natyrale të frutave, uji me origjinë malore, si edhe produkte të tjera organike që vijnë nga një traditë e gjatë e kultivimit natyral. Sektori i bimëve mjekësore, që prej vitesh përbën një nga asetet më konkurruese të vendit në eksport, është ndër më të spikaturit në panair, me prezantime që kanë tërhequr interesin e vizitorëve ndërkombëtarë dhe të kompanive të specializuara në tregtinë globale të produkteve natyrore.
Pjesëmarrja e kompanive shqiptare është koordinuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, si pjesë e strategjisë së zgjerimit të pranisë së produkteve shqiptare në tregjet e huaja dhe forcimit të diplomacisë ekonomike. Synimi kryesor është jo vetëm rritja e eksporteve, por edhe pozicionimi i Shqipërisë si një furnizues i besueshëm i produkteve të certifikuara natyrore, me origjinë të pastër dhe cilësi të qëndrueshme.







