Ballina Kuriozitete NASA publikon fotot e kometës/ 3I ATLAS duket si pikë e ndritshme...

NASA publikon fotot e kometës/ 3I ATLAS duket si pikë e ndritshme e rrethuar nga gazi e pluhuri kozmik

76
0

NASA publikoi këtë të mërkurë fotot e para dhe informacione të cilat nuk diheshin deri më tani sa I përket kometës ndëryjore Altas- kometa e tretë kjo e cila viziton sistemin tone diellor. Fotot e Agjencisë Amerikan të Hapësirës tregojnë 3I ATLAS si një pike të ndritshme drite e rrethuar nga një hije e mjegullt gazi dhe pluhuri kozmik.

Në imazhet e shumëpritura, objekti shfaqet kryesisht si një pikë e ndriçuar, ndërsa në disa prej tyre dallohet edhe bishti i kometës, i paraqitur si një vijë e zbehtë e zgjatur. Fotot janë realizuar gjatë javëve të fundit nga disa anije kozmike të NASA-s, teksa kometa e mistershme kalonte përmes pjesës së brendshme të sistemit diellor. Publikimi i tyre u vonua për shkak të mbylljes së qeverisë amerikane, e cila pezulloi aktivitetet e NASA-s dhe agjencive të tjera federale.

3I/ATLAS u zbulua fillimisht në korrik, duke nxitur interes të madh mes shkencëtarëve dhe astronomëve, për shkak të mundësisë tepër të rrallë për të studiuar nga afër një objekt ndëryjor. Para saj, vetëm dy objekte të tilla janë konfirmuar: ‘Oumuamua në vitin 2017 dhe kometa 2I/Borisov në vitin 2019.

Vizita e 3I/ATLAS ka shkaktuar spekullime të medha se objekti mund të jetë teknologji jashtëtokësore apo një anije alienësh, por deri më tani nuk ka asnjë provë shkencore që të mbështesë këto teori. NASA ka theksuar se kometa është “plotësisht në përputhje me atë që pritet nga një kometë e zakonshme”.

Gjatë javëve në vijim, shkencëtarët do të kenë më shumë mundësi ta analizojnë në detaje 3I/ATLAS, duke studiuar pamjen, shpejtësinë dhe vendin e mundshëm të origjinës. Kometa kaloi pikën më të afërt me Diellin në fund të tetorit dhe aktualisht po vazhdon udhëtimin nëpër sistemin diellor të brendshëm. Për shkak të afërsisë me Diellin, ajo ka qenë e padukshme për teleskopët tokësorë, por NASA pret që të rishfaqet në fillim të dhjetorit, pasi të ketë kaluar nga ana tjetër e Diellit. Më 19 dhjetor, 3I/ATLAS pritet të kalojë pranë Tokës, megjithatë pa asnjë rrezik për planetin tonë. NASA njofton se kometa do të qëndrojë rreth 170 milionë milje larg, një distancë plotësisht e sigurt.