Ballina Ekonomia KKT miraton lejen për ndërtimin kullave të reja në Tiranë, mes tyre...

KKT miraton lejen për ndërtimin kullave të reja në Tiranë, mes tyre ‘Lift Tower’ ku do vendoset Kadastra

47
0

Kulla më e lartë në Tiranë mesa duket ende nuk është ndërtuar. Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar lejen e ndërtimit për kullat me 44 kate dhe 55 kate në Tiranë tek Rruga ‘Dritan Hoxha’. Kullat do të shërbejnë për banim, hoteleri dhe shërbime të tjera multifunksionale.

‘Sun Moon Star’ është projekti tjetër me disa pallate dhe me një kullë deri 44 kate dhe 7 kate nëntokë me vendndodhje në Rrugën “Asim Vokshi”, Bashkia Tiranë. Kompleksi tjetër rezidencial do të ndërtohet tek Rruga Kastriotët me 30 kate.

Në valën e lejeve të miratuara janë edhe dy projekte të vetë shtetit me zhvillues Korporatën e Investimeve Shqiptare.

“Leje Zhvillimi për objektin: “Klaster i administratës publike”, me vendndodhje në Njësinë Administrative TR/167 si dhe “Godinë polifunksionale me 2 korpuse”, me vendndodhje në Bulevardin “Zhan d’ark”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues Korporata e Investimeve Shqiptare. Leje Zhvillimi për objektin: “Godina e Kadastrës Shtetërore dhe Lift Tower”, Loti 2, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Korporatën e Investimeve Shqiptare”, thuhet në vendimin e KKT.

Godinat që do të ndërtohen në pronat shtetërore pranë bulevardit Zhan Dark kanë sipërfaqe 2840 m2 ku ndodhen aktualisht Zyra Vendore e Arsimit, ndërsa godinat e projektit Lift Tower loti 2 ku do të vendosen edhe zyrat e Kadastrës do të shtrihet në do të ndërtohen pranë shkollës “Harry Fultz”, me sipërfaqe 7.500 m², aty ku ndodhet aktualisht Drejtoria Vendore e ASHK.

“Për të mundësuar zhvillimin e godinës së Kadastrës Shqiptare (kushti publik i transferimit të pronës) dhe në mënyrë që institucionet publike të përfitojnë pa kosto 34,000 m2 ndërtim me parametra modernë dhe cilësorë, vihet në dispozicion nga ATP për zhvillim me sipërmarrjen të godinës LIFT Tower, prona e saj tek rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë fakultetit të Inxhinierisë 46 së Ndërtimit, rreth 2,357.55 m2.

Kjo pronë ka vlerë të lartë ekonomike për sipërmarrjen dhe si rrjedhim është me interes për t’u zhvilluar”, thuhet në projektin e Lift Tower 2.

Për godinat shtetërore kompanitë e interesuara për të ndërtuar projektet e miratuara kanë afat deri në 5 janar 2025 për të paraqitur ofertat e tyre pranë Korporatës së Investimeve Shqiptare. Në këmbim të pronës shtetërore që i vihet në dispozicion privatit, shteti përfiton zyra për administratën.

Ndërkohë Këshilli Kombëtar i Territorit ende nuk është dhënë leja për të vijuar ndërtimin për ‘Tulipanin e Tiranës’ kullën 40 kate të lartë e me një sipërfaqe ndërtimi rreth 35 mijë metra katrorë në afërsi të ish stadiumit Dinamo, pranë Fakultetit të Inxhinierisë. Godina është projektuar nga studioja kosovare e arkitekturës BVR.