Ballina Ekonomia Transporti kërkon lehtësi – Operatorët: TVSH 6%, lehtësim të taksave të karburantit...

Transporti kërkon lehtësi – Operatorët: TVSH 6%, lehtësim të taksave të karburantit dhe rishikim të tarifave

61
0

Ulje të TVSH-së në 6%, lehtësi për karburantin dhe një mekanizëm për rishikimin apo kompensimin e çmimit të biletave. Këto janë disa nga kërkesat që Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka drejtuar Kuvendit, në kuadër të shqyrtimit të Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit për vitin 2027.

Në shkresën drejtuar Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, shoqata argumenton se rritja e kostove të karburantit, pagave, mirëmbajtjes dhe sigurimit të mjeteve po rëndon financat e operatorëve. Ndërkohë, tarifat e transportit qytetas dhe rrethqytetas miratohen nga pushteti vendor dhe nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme nga kompanitë.

Kërkesa kryesore është aplikimi i një norme të reduktuar të TVSH-së prej 6% për transportin publik qytetas dhe rrethqytetas, si dhe shqyrtimi i mundësisë për ta shtrirë këtë trajtim edhe në transportin ndërqytetas. Shoqata kundërshton gjithashtu rritjen e TVSH-së në 21%, duke paralajmëruar presion mbi çmimet e biletave dhe aboneve.

Sipas vlerësimit paraprak të saj, transporti publik përdoret nga rreth 450 mijë deri në 500 mijë qytetarë në shkallë vendi. Për këtë arsye, operatorët kërkojnë që shërbimi të trajtohet si pjesë e shpenzimeve bazë të familjeve, duke marrë në konsideratë veçanërisht studentët, pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta.

Një tjetër propozim është liberalizimi i çmimit të biletës ose vendosja e një mekanizmi të detyrueshëm për rishikimin dhe kompensimin e tarifave të rregulluara. Sipas shoqatës, mbajtja e çmimeve të pandryshuara, përballë kostove në rritje dhe pa kompensim, rrezikon vazhdimësinë e shërbimit dhe kufizon investimet.

Për karburantin, kërkohet përjashtimi nga akciza ose krijimi i një skeme rimbursimi mujor apo tremujor, bazuar në faturat e furnizimit dhe kilometrat e realizuar. Operatorët kërkojnë gjithashtu që autobusët e licencuar për transport publik të përjashtohen nga çdo detyrim i ri vjetor i taksës së qarkullimit që mund të vendoset mbi mjetet.

Propozimet përfshijnë edhe mbështetje për rinovimin e flotës. Shoqata kërkon shqyrtimin e lehtësive fiskale për gazin natyror dhe energjinë elektrike, si dhe skema për zëvendësimin gradual të autobusëve të amortizuar me mjete me emetime më të ulëta, hibride dhe elektrike.