Deti, i shtyrë nga një erë e fortë shirok, ka sjellë një sasi të madhe mbeturinash në Dubrovnik, shumica e të cilave nga Shqipëria, të cilat kanë pushtuar portin e vjetër të qytetit dhe plazhin e famshëm të Banjes. Sipas vlerësimeve nga kompania e menaxhimit të mbeturinave komunale Čistoća, pastrimi manual do të zgjasë disa ditë.
Kryetari i bashkisë Mato Frankoviç theksoi se të gjitha strukturat komunale janë mobilizuar për operacionin e pastrimit, por sqaroi se kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme. “Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë në kontakt me autoritetet shqiptare për ca kohë sepse ne e dimë se nga vijnë mbeturinat. Ne i dimë vendet e sakta nga të cilat deti i mbart ato. Përveç plastikës dhe pemëve, ka edhe kafshë”, deklaroi Frankoviç.
Kryetari i bashkisë shtoi se shpreson që ministria do të jetë në gjendje të ndërhyjë, përfshirë edhe me mbështetje financiare për Shqipërinë, për të adresuar problemin në burimin e tij. “Kjo nuk është vetëm në interes të Kroacisë, por edhe të Italisë dhe Malit të Zi. Aktualisht po vuajmë humbje ekonomike”, tha ai.
Ky nuk është një fenomen i kufizuar vetëm në Dubrovnik: Blaž Pezo, President i Qarkut Dubrovnik-Neretva, vuri në dukje se i njëjti problem ndodh në të gjitha gjiret me pamje nga juglindja, nga Konavle në Lastovo.
“Duke hedhur mbeturina në det, Shqipëria po krijon vështirësi për të gjithë përgjatë Adriatikut. Është një problem i rëndësishëm, por unë pajtohem se mund të zgjidhet vetëm përmes bashkëpunimit ndërkufitar. Nga sa kuptoj, po planifikohet edhe monitorimi satelitor i detit për të provuar të kapë mbeturinat që janë ende në det të hapur. Kjo mund të jetë një zgjidhje e mundshme”, shpjegoi Pezo./kapitali







