Arrestohet një oficer i Antiterrorit. Shtetasi me inicialet I.H., akuzohet si i lidhur me grupin e goditur nga Spak me palën Italiane. Dyshohet për disa vepra penale, nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Në kuadër të këtij aksioni, janë firmosur dy urdhër-arreste nga Gjykata e Brescias dhe 24 masa sigurie, mes tyre 9 arrestime. Mësohet se qendra e këtij rrjeti kriminal, që thuhet se drejtohej nga shqiptarë, ishte në provincën e Brescias. Hetimet e Guardia di Finanza zbuluan se bazat kryesore të aktivitetit ndodheshin në Rovato dhe Palazzolo.
Sipas mediat italiane, rrjeti kriminal ishte i kontrolluar nga klane shqiptare, të cilat menaxhonin importimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në territorin italian. Gjatë operacionit është sekuestruar dhe një shume e konsiderueshme parash, të lidhura me trafikun.
Hetimet zbuluan se kokaina vinte nga Amerika e Jugut, ndërsa heroina kishte origjinën nga Shqipëria. Në skemë janë identifikuar edhe shoferë autobusi, të cilët, pa dijeninë e tyre, transportonin pakot e drogës, ndërsa disa shoferë kamionësh rezultuan të përfshirë drejtpërdrejt dhe bashkëpunues me grupin kriminal. Operacioni konsiderohet nga autoritetet italiane si një goditje e rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës dhe veprimtarisë së organizuar të klaneve shqiptare në rajon.







