Ballina Opinion Pakënaqësi e madhe ndaj qeverisë, por frymëzim i pakët nga opozita

Pakënaqësi e madhe ndaj qeverisë, por frymëzim i pakët nga opozita

18
0

Nga Eduard Zaloshnja

Ndër 115 pyetjet në Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin rigoroz statistikor që drejtova unë në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), ishin edhe 12 pyetje që lidheshin me qeverinë.

Kështu, pyetjes kryesore rreth vlerësimit të përgjithshëm të punës së qeverisë, vetëm 34% e të anketuarve iu përgjigjën pozitivisht!

Pyetjes “A ndiheni të përfaqësuar nga qeveria në nivel qendror (qeveria dhe ministrat)?”, vetëm 34.6% e të anketuarve iu përgjigjën pozitivisht. Ndërkohë, vetëm 26.4% e të anketuarve mendojnë se qytetarët shqiptarë kanë ndonjë ndikim në ato që bën qeveria. Nga ana tjetër, plot 78.2% mendojnë se biznesmentët e mëdhej kanë ndikim në ato që bën qeveria!

Pyetjes “A ofron qeveria mbështetje të mjaftueshme për personat e papunë?”, vetëm 15.5% e të anketuarve iu përgjigjën pozitivisht. Ndërsa tek pyetja tjetër “Si rezultat i politikave qeveritare në 5 vitet e fundit, mendoni se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është bërë më i GJERË apo më i NGUSHTË?”, plot 81.3% anonin nga mendimi se hendeku është zgjeruar. Më tej, vetëm 23.5% anonin nga mendimi se qeveria i merr parasysh nevojat dhe pikëpamjet e qytetarëve të thjeshtë, kur formulon apo ndryshon politikat ekonomike.

Pyetjes “Si i vlerësoni rezultatet e Qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit?”, vetëm 17.5% e të anketuarve iu përgjigjën “mirë” ose “shumë mirë”! Ndërkohë, plot 82% mendojnë se qeveritarët shkelin ligjin ose abuzojnë me pushtetin e dhënë (35% “gjithmonë”, 47% “shumicën e kohës”). Dhe 87% e të anketuarve që mendojnë kështu, thonë se zyrtarët qeveritarë që kryejnë krime mbeten pa u ndëshkuar!

Animi pozitiv për punën e qeverisë në sektorë të ndryshëm ishte gjithashtu në nivele të ulta. Konkretisht, te Punësimi 16.3%, te Bujqësia 17.9%, te Ekonomia 19.1%, te Arsimi 33.7%, te Shëndetsia 36.3%, dhe te Rendi Publik 47.2%. Vetëm te Turizmi puna e qeverisë merrte pikë të larta – 72.5% e të anketuarve anonin nga vlerësimi pozitiv për punën e qeverisë në këtë sektor.

Duke parë që pothuaj për çdo pyetje në lidhje me qeverinë, konstatohet një nivel i lartë ose shumë i lartë pakënaqësie e shqiptarëve të këtushëm, do të ishte e pritshme që dhjetra mijra ta mbushnin sheshin para Parlamentit të enjten e shkuar, kur Berisha bëri thirrje për një protestë madhështore. Në fakt, realiteti ishte krejt ndryshe – në shesh kishte më shumë policë që mbronin Parlamentin, se sa protestues para tij…

Po mos ndoshta qytetarët kanë frikë të dalin të protestojnë kundër qeverisë? Barometri i Sigurisë tregon të kundërtën – vetëm 16.5% e shqiptarëve të këtushëm kanë bindjen se qytetarët që dalin në protesta mund të kenë raprezalje nga qeveria.

Po Basha, Shehaj, Lapaj, Qorri e të tjerë politikanë opozitarë, përse nuk u bëjnë thirrje dhjetra mijra ndjekësve të tyre nëpër rrjetet sociale, që të dalin të protestojnë në shesh kundër qeverisë, meqë ekziston një pakënaqësi e madhe ndaj saj? Siç duket ata e ndjejnë që nuk frymëzojnë dot një lëvizje masive proteste, dhe mjaftohen me ndonjë kuvend partiak nëpër salla të mbylluara…

Në fakt e gjithë opozita perceptohet si anemike – nga një sondazh që zhvillova në mes të majit për Report TV, rezultoi se vetëm çereku i shqiptarëve të këtushëm anonin nga vlerësimi pozitiv për aktivitetetin e partive opozitare në përgjithësi. Shumë pak, kur nga ana tjetër, vetëm 34% kanë vlerësim pozitiv për punën e qeverisë!

SHËNIM: Vrojtimin rigoroz statistikor për Barometrin e Sigurisë të CSDG-së e kryem nga Konispoli në Vermosh me anketime nga 34 anketues profesionistë. Kampioni i përzgjedhur u ripeshua statistikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë popullsinë e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht.