Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr sot shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor.
Numrat e subjekteve politike janë nga 111 deri në 134. Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës 130, Lidhja Demokratike e Kosovës 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 129, NISMA Socialdemokrate 122.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se ky është një nga momentet kyçe në kuadër të përgatitjeve zgjedhore dhe u mundëson partive të përgatiten për fushatën zgjedhore. Ai ftoi të gjitha partitë politike që angazhimin e tyre ta zhvillojnë në frymë të bashkëpunimit, respektit dhe përkushtimit ndaj rregullave dhe ligjeve zgjedhore.
Radoniqi: Pas hedhjes së shortit, KQZ do të vazhdojë me miratimin e dizajnit të përmbajtjes së fletëvotimit
“Ky është një nga momentet kyçe në kuadër të përgatitjeve zgjedhore dhe shënon afrimin drejt fazave përfundimtare të këtij procesi dhe ditës se zgjedhjeve. Prej dy javësh KQZ-ja ka qenë e angazhuar në mënyrë intensive në planifikimin e zbatimin të aktiviteteve të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Pas këtij aktiviteti KQZ-ja do të vijojë hapat e radhës duke përfshirë miratimin e dizajnit të përmbajtjes së fletëvotimeve dhe përgatitjen për fillimin e procesit të votimit me postë për qytetarët jashtë Kosovës. Po ashtu, ky moment u hap rrugën subjekteve politike që pas disa ditësh të fillojnë fushatën zgjedhore sipas afateve të përcaktuara. Ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që angazhimin e tyre ta zhvillojnë në frymë të bashkëpunimit, respektit dhe përkushtimit ndaj rregullave dhe ligjeve zgjedhore”, tha Radoniqi.
Subjektet e tjera politike do të jenë në garë me numrat: Nova Demokratska Stranka 111, kandidati i pavarur Nexhmedin Sejdilar 119, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës 128, Fjala 114, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 133, Partia Liberale Egjiptiane 120, Kosova Demokratik Turk Partisi 112, Kosovski Savez 121, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës 115, Iniciativa qytetare për Kosovë 117, Koalicioni VAKAT 132, PSA 131, Koalicioni PAI-PDAK- LPB 125, Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar 113, Lista Serbe 127, Unioni socialdemokrat 126, Partia Unike Gorane 118 dhe Za Slobodu Pravdu i Opstanak 134.







