Ballina Aktualitet Inspektori Metani ligjëron për filozofi, prokurorët në Dibër përplasen për fashikuj: një...

Inspektori Metani ligjëron për filozofi, prokurorët në Dibër përplasen për fashikuj: një ditë normale në republikën e paradokseve të drejtësisë

3
0

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani sot foli gjatë. Me fjali të lodhshme, të lëmuara, me kujdes akademik. Foli për balanca kushtetuese, për sfida profesionale dhe personale, për filozofinë e një zyre që duhet të ruajë ekuilibrin mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit të publikut. Foli për kohën që duhet që parimet të testohen, për të ardhmen e sistemit, për shtetin e së drejtës që rritet ngadalë, me durim. Në fund u ndal edhe te falënderimet, me një kujdes pothuaj ceremonial: për Periant Tetën një inspektor që paska punuar në arkivë,për ekipin e ILD-së që kërkoi me muaj në arkiva, për kërkuesit e bibliotekës, për pedagogun Erind Mërkuri që nga pasioni për historinë materializoi dokumentet. Ishte një moment i qetë, me aromë librash të vjetër, me fletë arkivi, me respekt institucional dhe tone të buta.

Ndërkohë, në një Shqipëri tjetër, shumë larg kësaj qetësie, drejtësia për arkiv njeh mijëra dosje që presin gjykim dhe mijëra hallexhinj që dergjen dyerve të gjykatave për drejtësi. Në Dibër, për tre ditë me radhë, një drejtues prokurorie nën procedim penal shkarkon dy sekretarë sepse nuk e kishin informuar që ishte në hetim. Një prokuror shkon vetë në zyrë për të marrë materialet që po bllokohen. Një procedurë rutinë kthehet në sherr banal mes dy funksionarëve të lartë të shtetit dhe rrezikohet që konflikti të shndërrohet në përplasje fizike. Gjithçka e trashë në një prokurori periferike, e zhurmshme, pa filozofi, pa arkiva, pa ekuilibra.

Po sot, po në këtë vend, kryeministri dhe Shoqata e Gjyqtarëve shkëmbejnë akuza publike për ndërhyrje të ekzekutivit në drejtësi. Akuza të drejtëpërdrejta, pa metafora, pa pasion për historinë, por me nerv, me tension, me frikën e pushtetit që fut hundët atje ku nuk duhet.

Dhe pikërisht sot, në Shqipëri Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjodhi të flasë për eterin, për historinë, për arkivin. Ndërsa drejtësia reale, ajo që ndodh larg podiumeve me dritë artificiale, vazhdoi të rrëshqasë mbi beton, me zhurmë, me përplasje, me fytyrën e saj të vërtetë.

Dhe natyrshëm një mendje normale pyet: Mos duhet vallë ta eksportojmë Artur Metanin në ndonjë vend të BE-së, si “overqualified” për kushtet shqiptare? Të pakten atje të ketë mundësinë të shfaqë kapacitetet e plota intelektuale për të folur për filozofi. Sepse ne ndoshta nuk e meritojmë një kapacitet te tillë, për sa kohë drejtësia ka probleme kaq banale për një personalitet kaq të madh sa zoti Metani.