Ballina Dossier Dëshmia e rrallë, e ish-shefit të ‘Bllokut’ të udhëheqjes: Si u zunë...

Dëshmia e rrallë, e ish-shefit të ‘Bllokut’ të udhëheqjes: Si u zunë për flokësh Teuta me Liljanën për një vaskë, Nexhmija rrinte e shikonte

46
0

Nga Bardhyl Berberi  

Dash Çollaku, një nga pinjollët e familjes së njohur madhe të Çollakëve të Pogradecit, një mëngjes më ftoi për një kafe. E dija se Dashi kishte qenë njeri i rëndësishëm në ish- “Bllokun” e udhëheqjes së lartë komuniste. Duke qenë se vëllai i tij i madh Mehdini, ishte dhëndri i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Kadri Hazbiut, Dashamiri, pas mbarimit të shkollës Teknologjike për Merceologji, emërohet fillimisht, Sekretar i Parë i Rinisë së Gardës së Republikës dhe më pas, si përgjegjës për kontrollin e ushqimeve që konsumonin Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSh-së, e të gjithë familjet e tjera të udhëheqjes së lartë që banonin në lagjen e famshme që njihej si; “Blloku”. Dashi, me vështrimin nga liqeni, duke rrufitur kafenë e mëngjesit, më thotë: “Eh, sa kujtime kam unë o gazetar, nga udhëheqja e lartë e asaj kohe, por do të tregoj për disa intimitete, se po të tregoj të gjitha çfarë kam parë atje, duhet të iki nga Shqipëria”.

Rrëfimi i Dashamir Çollakut, për anën e panjohur të “Bllokut”!

– “Kisha disa kohë që po punoja tek Garda e Republikës, si sekretar i Parë i Rinisë së Gardës. Një mëngjes më thonë se duhet të shkoja tek zyra e Kadri Hazbiut, ministër i Brendshëm, që ishim dhe ishim krushqi, pasi vëllai im, i ndjeri Mehdin Çollaku, kishte marrë grua, vajzën e madhe të Kadri Hazbiut, Helenën. Kështu që ai më priti në zyrë, si mik i familjes dhe fillimisht, bëmë një muhabet familjar.

Pastaj, Kadriu më tha: ‘Partia ka nevojë, që t`i të punosh në Drejtorinë e Dytë, të merresh me sigurimin e udhëheqjes dhe me ushqimin e tyre. Ti je merceolog dhe duhet të jesh vigjilent, natë e ditë, që të mos helmohet udhëheqja e lartë e Byroja Politike. Nga Japonia do të vijë një aparaturë modern, ku do të kontrollosh ushqimet. Mos na turpëro, o Çollak”!, e mbylli bisedën Kadriu.

Z, Çollaku, çfarë kujtime kini me Enver Hoxhën?

– Dëgjo, kisha vetëm pak ditë që kisha filluar punë tek “Blloku”, ishte marsi i vitit 1971. Po qëndronim jashtë tek “Blloku”, dy shoqëruesit e Enver Hoxhës; Axhem Abazi e Halim Zano dhe unë, bashkë me ta. Ata të dy ishin të veshur me pallto “Gub”, ndërsa unë kisha një kostum të zakonshëm, gati të dalë boje. Papritur del nga shtëpia e Partisë, Enveri, me një bastun në dorë dhe më drejtohet mua: -“Po t`i more djalë, nga je”? – “Jam nga Mokra”, i thashë Enverit.

– “Po Çollakët i njeh”? – “Po, shoku Enver, unë nga ai fis jam”.

– “Po ju, jeni nga Pogradeci, apo jo”?!

– “Po ju thashë për origjinën, shoku Enver, nga Mokra e kemi”.

– “Të lumtë që the se jam nga Mokra, Mokra, është një krahinë patriotike, e lidhur me Partinë…”.

– “Unë e kam takuar Reshitin në Mokër, Reshiti ishte djalë trim dhe patriot. A e di ti, se kur ka mbaruar akademinë italiane, nuk ka pranuar, që të betohet para flamurit Italian? – Po ti, pse ke vetëm kostum, nuk ke pallto, si këta të tjerët (dhe drejtoi shkopin nga dy shoqëruesit e tij, që ishin veshur me pallto “Gub”), nuk ke ftohtë”?!

Unë mblodha supet, por të nesërmen më sollën pallto “Gub” dhe mua dhe të gjithë shoqëruesit e “Bllokut”, ishin të veshur me pallto “Gub”, pas asaj ndodhie që pata unë me Enver Hoxhën.

Po me familjen Hoxha, ke pasur njohje, kujton ndonjë ngjarje, me ta?

– Të them të drejtën, kam një nga skenat më skandaloze. Isha me punë fizike dhe punoja tek vila e re e Enver Hoxhës, si njeri i besuar. Vijnë dhe montohen dy vaska për dush, nga 60 mijë dollarë secila. Njëra ishte e kuqe, tjetra ishte blu. Teuta, nusja e Ilirit, donte vaskën e kuqe, por të kuqen, donte dhe Liljana, nusja e Sokolit.

-Jo e kam unë të kuqen, jo e ke ti dhe kur u mbërthyen për flokësh, të dyja, duke u zënë, si dy gra ordinere. Unë isha prezent dhe përballë tyre, qëndronte Nexhmia. Ajo pa skenën dhe nuk foli asnjë fjalë, deri sa ato i shkulën flokët njëra tjetrës, për gati dhjetë minuta. Këtë skenë, nuk kam për ta harruar kurrë, e kam të gjallë para syve të mi.

– Po me Nexhmie Hoxhën?

– Kur ishte Kongresi i Frontit Demokratik në Vlorë, dy ditë para Kongresit, vjen në vilën e Enverit në Vlorë, fillimisht Nexhmia para dite. Pas dite, vjen Ramiz Alia. Atë natë qëndruan në të njëjtën vile, edhe Nexhmia dhe Ramizi. Të nesërmen paradite, vjen Semiramizi, gruaja e Ramiz Alisë, një grua e përkryer.

Sapo mbërriti tek oborri i vilës, më drejtohet mua, duke më tërhequr anash, më hodhi dorën në sup. – “Dashi, ti je Çollak dhe Reshiti Çollaku, me Ptoleme Xhuvanin, pjesëtarin e familjes sime, janë vrarë në një llogore, në Pojskë të Pogradecit. Dua të më thuash vetëm mua, miqësisht, mbrëmë, këtu kanë qenë ata të dy?! (pa ia zënë emrin në gojë, as Ramizit e as Nexhmies)

-Po ju, si iu përgjigjët, i treguat?

– I pohova lehtë me kokë, pasi nuk mund të gënjeje atë grua të mrekullueshme dhe ja ku po ua u them; Ramiz Alia, para Semiramit, ishte një zero.

– Çfarë ndodhi më pas?!

– Asgjë, ajo nuk takoi asnjërin, hipi në makinë dhe u nis menjëherë për në Tiranë. Desha të theksoj, se kur ka vdekur Semirami, kam qarë, sikur kishte vdekur nëna ime, pasi ajo ishte modeli i një gruaje të mirë dhe nuk e pamë të hipte një herë në makinë, kur ishte brenda Tiranës?! Nisej nga “Blloku” në këmbë, deri tek Shkencat e Natyrës, tek materniteti, në erë, në shi, në vapë…!

Semirami, ishte pedagoge tek Shkencat e Natyrës. Ja ku po ua them; Nexhmie Hoxha, ka qenë gruaja më e zezë dhe shpirt keqe dhe Ramiz Alia, një njeri dinak, që i hante shokët e tij, mbrapa shpine. Janë dy njerëzit, më të neveritshëm, për mua…!

– Po me Mehmet Shehun?

– Kontaktin e parë, me Mehmet Shehun, e kam pasur kur vdiq Hysni Kapua. U thirrën shumë persona të besuar, se kush do të mbante ballin e arkivolit të Hysni Kapos, pasi siç dihet, në krye ishte Enveri dhe në anën tjetër, Mehmeti, por ata e mbanin dorën kot aty, se peshën e arkivolit, e mbante personi që vinte pas tyre. E provuan shoqëruesin e Enver Hoxhës, Beharin dhe shoqëruesin e Mehmet Shehut, Ali Çenon dhe e bënë provë, por nuk e mbanin dot, as dy metra në krahë arkivolin e, jo 200 m., që duhej mbajtur.

Më thirri komandanti i Gardës, Haki Liço dhe më tha: – “Dashi, e pe që atyre iu hapën këmbët, nuk e mbajnë dot arkivolin e shokut Hysni, kështu që, do ta kapim ne të dy”. Dhe kështu u bë, unë u vendosa mbrapa Mehmet Shehut, ndërsa Haki Liçua, mbrapa Enver Hoxhës.

Të them të drejtën, arkivoli ishte shumë i rëndë, na krisën shpatullat, megjithatë ne e kryem detyrën. Duke ecur me arkivol, që nga salla e homazheve, deri tek shtrati i topit, pa dashur, i shkela këmbën Mehmet Shehut. U preva fare, se të shkelje Mehmetin…! Por ai ktheu kokën dhe më tha: “S’ka gjë Çollak, ec, je djalë flori”! Por, për Mehmet Shehun, desha t’ju tregoj, edhe disa kuriozitete intime.

– Konkretisht, çfarë?!

– Kujtoj njëherë, kur Mehmeti po të dëgjonte, që pranë vilës së tij, këndonte kukuvajka, ngrihet dhe niset më ora 01, të natës, për në vilën e Durrësit. Një herë tjetër, kishte qenë tek vila në Fier, se ishte me një shërbim atje, një të dëgjuar kukuvajkën dhe më ora 02 pas mesnate, u nis për në Tiranë. Ne që ishim në grupin e shoqërimit, e dinim këtë dhe sapo dëgjonim ndonjë kukuvajkë, bëheshim gati…!

Shefi i shërbimeve të shtëpisë së Mehmet Shehut, Ferik Çaushi, kur shikonte ndonjë kukuvajkë, nëpër pemët rrotull shtëpisë së Mehmetit, e qëllonte me snajper pa zhurmë dhe e vriste. Mehmeti kishte shumë qejf gjuetinë e derrave të egër, shkonte në Kutërman një fshat midis Librazhdit dhe Elbasanit, ku ishte një rezervat derrash të egër. Me vete morëm edhe kryetarin e Shoqatës së Gjuetarëve të Elbasanit, Skënder quhej,…ndërsa mbiemri i tij, nuk po më kujtohet tani.

Në gjueti, gjatë kohës që shtinin mbi një kope derrash të egër, gabimisht plagoset Skënderi, (djali i dytë) dhe Mehmeti u shqetësua shumë e lajmëroi një helikopter, i cili u ul në stadiumin e Elbasanit dhe çuan me urgjencë, në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe fatmirësisht Skënderi shpëtoi, pa ndonjë pasojë apo problem. Mehmeti, pas gjuetisë, një derr e mbante, për ta ndarë me anëtarët e Byrosë, një derr na i jepte ne shoqëruesve, që ta ndanim midis nesh, ndërsa derrat e tjerë, i çonim në Ndërmarrjen e Grumbullimit, për t’ia shitur popullit, e nuk largohej pa i sjellë faturat, që ishin bërë dalje, në Grumbullimin e Mishit.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë, se Mehmeti, ishte mjeshtër në gjuetinë e derrit, ndërsa Kadri Hazbiu, ishte për rosën e egër. Ishim një herë në malin e Dajtit, tek vila, me grupin e shoqërimit, pranë Mehmet Shehut. Kur shikojmë ne, rreth orës 11 të natës, del Mehmet Shehu, i veshur me tuta sporti dhe nga këmbët ishte zbathur.

Ecte mbi disa guriçka të vogla, si tip zhavorri të trashë. Ne shqyem sytë, të shikoje kryeministrin e vendit, të ecte zbathur në mesnatë…?! Ai e kuptoi hutimin tonë dhe na foli me ton ushtarak: “Po ju ç’më shikoni, hajt hiqini shpejt këpucët dhe ecni siç ec unë, zbathur mbi guriçkat”!

Ne shtangëm. “Hë, nuk e dini se pse. Këto gurët e vegjël, lëshojnë disa impulse në tru, që ju bën mirë për shëndetin, ju mpreh kujtesën dhe bëheni më inteligjentë” – na tha ai. Filluam dhe ne, të ecim pas tij, nëpër guriçkat rrotull vilës, na qeshej me vete, por prej Mehmetit, nuk na i mbante.

Një herë, kur Mehmeti do të shkonte në Korçë, më thonë mua se; edhe ti Dashi, je në grupin e shoqërimit. Pa shkuar në Korçë, qëndroi në vilat e Pogradecit, për të ngrënë drekë dhe për të pushuar pak. Po shëtiste buzë liqenit, kur sheh që ishin prerë disa plepa, anës liqenit. Thirri ata përgjegjësin e vilave dhe i tha: “Pse i keni prerë plepat”?

– “Kështu na dha urdhër, kryetari i Komitetit Ekzekutiv i Pogradecit”, tha ai, për Bexhet Zagorçanin, që ishte në atë kohë në atë funksion. Siç ishim grumbull, grupi i shoqërimit, Mehmeti më thërret; “Çollak, eja këtu, se ti je pe Pogradeci”.

– “Urdhëroni shoku kryeministër” i thashë unë. – “Merr një makinë shoqërimi dhe shkoi në zyrë atij Bexhet Zagorçanit dhe i thuaj; se ke prerë plepat dhe kryeministri, do të vari, m’u në Zagorçan, për këtë shëmti, që i ke sjellë parkut”.

Sapo shkova në Komitetin Ekzekutiv, i thashë dezhurnit se kam një porosi nga kryeministri, për kryetarin dhe më çuan atje menjëherë. Sapo i them Bexhetit, porosinë e Mehmetit, ai u zbardh i tëri në fytyrë, si ato statujat e Greqisë. Pastaj piu nja dy hapje…!

– “Bo bo, ç’na gjeti”!, – tha, e më pas filloj të justifikohet; “Unë dhashë urdhër, të priten, si ishin plepa të vjetër dhe mund rrëzoheshin, se ishin të kalbur dhe në atë rrugë buzë liqenit, shëtit shoku Enver”, – tha Bexheti, të cilit filloi që t`i merret goja, – “Unë i shkreti, për mirë u mundova”! “Urgjent – i them unë, – mbill filiza të tjerë në atë vend”.

Pas dy ditësh, kur u kthyem nga Korça, Mehmeti qëndroi përsëri në Pogradec, tek vilat dhe duke shëtitur, e pa se ishin mbjellë ca filiza të rinj, shumë të zhvilluar, në vend të atyre që ishin prerë. Nuk foli më, por i erdhi mirë, që ishte zbatuar porosia e tij.

Në vitet `70-të, Mehmeti pati një problem me shëndetin dhe vendosën që të kurohet në Francë. Kuptohet, që përveç Mehmetit, ishte dhe një grup shoqërimi dhe atje qëndruam 20 ditë. Mehmeti, foli me persona zyrtarë, që të mos e shqetësonte, asnjë Radio, apo Televizion. Një ditë aty në spital, Mehmeti e pyet Bashkim Musain, (nga Fratari i Përmetit): “O Bashkim, në Tiranë, të kam falur një thikë, shumë të veçantë, desha ta di, e ke me vete këtu në Francë”?

– “Po shoku Mehmet”, iu përgjigj Bashkimi dhe nxori thikën nga brezi. “Të lumtë, – i tha Mehmeti, – je djalë trim” dhe e puthi në ballë. Një ditë, na thotë Mehmeti; “Hë, keni mbledhur ndonjë dollar juve, apo jo”! Ne mblodhëm supet…! – “Dëgjoni ju, kur të ikni, do ta merrni nga një televizor, por do t’iu them atyre të ambasadës, që t’ju çojnë tek një treg, që të shtunave ka skonto të madhe dhe t`i blini atje televizorët”. Dhe ashtu u veprua. Mehmeti dukej shumë i rreptë, por kishte një zemër të madhe.

– Dashi, ju keni qenë për shumë kohë dhe pranë Hysni Kapos, si e kujtoni, kur ju caktuan pranë tij?

– Më thërret përsëri në zyrë Kadri Hazbiu dhe më thotë: – “Dashi, do të shkosh pranë shokut Hysni Kapo, është ndër shokët tanë, më të mirë dhe është pa qejf, prandaj do të bësh sytë katër”. Qëndroja në paradhomën e Hysniut. Aty së bashku me mua, që kujdesej për shëndetin e tij, ishte një grup mjekësh, midis tyre, Dr. Berisha. Ne qëndronim aty të dy, unë bëja shërbim, ndërsa, Dr. Berisha. ishte në pritje të ndonjë emergjence.

Hysniu ishte shumë i sëmurë. Desha të theksoj një fakt, me Dr. Berishën, u miqësuam dhe unë arrita deri atje, sa t`i kërkoj një nder, të më nxirrte nga leksioni, të dashurën time, (sot bashkëshorte, Luljeta Mehqemeja) kur ai kishte mësim me grupin e saj në fakultetin e Mjekësisë dhe Dr. Berisha, ma bënte këtë nder.

Desha të theksoj, se në paradhomë, kishte një frigorifer të madh me tërë llojet e pijeve, vinin këta mjekët e tjerë të Bllokut, si; Dr. Ylli Popa dhe të tjerë, e pinin këto pijet e rralla, si; Ëiski, Campari, Xhin, Fërnet-Branka, etj. vetëm Dr. Berisha, nuk pinte asnjë lloj pije, pinte vetëm ujë dhe ndonjë kafe.

Desha të nënvizoj një fakt; ne qëndronim gjithë natën në paradhomë dhe kishte disa divane, që mund të shtriheshim. Dr. Berisha, nuk qëndronte në divan, por në një karrige dhe me kufje, studionte gjithë natën, gjuhë të huaja, kishte një vullnet të paparë. Më tha se i pëlqente Pogradeci dhe në verë, do të vinte me familjen me pushime.

E çoj tek kushëriri im, Seit Çollaku. Më thotë Seiti një ditë; “Me Dr. Berishën, po kalojmë shumë mirë, por nuk pi raki…”?! Edhe kur Doktor Berisha, u bë president dhe kryeministër, kur shiheshim, më përshëndeste me përzemërsi dhe më thërriste; – “Ku je Çollak”?!

– Më thatë në fillim të bisedës, se keni pasur një histori të veçantë, me Llambi Gegpriftin, çfarë ju ka ndodhur?!

Llambi Gegprifti, ishte djalë nga Mokra, dhe kuptohet ishte nga anët tona. E kishin thirrur me urgjencë dhe nga drejtor, e kishin zgjedhur si kandidat të Byrosë Politike. Por aty, pas pak, do të fillonte mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së. Rrotull në korridor, ku do të fillonte mbledhja, të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, ishin të kollarisur, me kostume thikë.

Llambi nuk e dinte që do të zgjidhej në Byronë Politike dhe kishte veshur një kostum të zakonshëm bezhë dhe një këmishë të thjeshtë, ku ja kishte nxjerrë jakën sipër xhaketës.

E shoh Llambin të veshur fare thjeshtë dhe mbi të gjitha pa kollare. Më erdhi keq, se e kishim nga anët tona. E takova dhe e urova. E pashë më pas, nga koka tek këmbët dhe i them; – “Ku do të vesh, kështu si je t`i, në mbledhje të Byrosë Politike, mbi të gjitha, ti s`ke kollare”?!

– “E ku ta dija unë, se do të zgjidhesha atje”! më thotë Llambi, si i zënë në faj. – “Eja”, – i them unë dhe shkuam tek një cep i korridorit, dhe unë hoqa me shpejtësi kollaren time dhe ja vura Llambi Gegëpriftit në qafë. Dhe ai pas pak minutash, u fut në mbledhjen e Byrosë Politike.

Më pas Llambi, më solli tre kollare të tjera mua, për atë kollare që i dhashë unë atë ditë, për në mbledhjen e Byrosë Politike, pasi atje kishte simbolikë tjetër…! Por, s`kishte rëndësi kjo, kishte rëndësi, që ai e hodhi lumin atë ditën e parë, u fut me kollare, në mbledhjen e Byrosë Politike.

Pas disa kohësh, Llambi më kërkon një nder, pasi unë isha edhe sekretar i Parë i Rinisë së Gardës së Republikës.

– “Çfarë…”?! – i them unë.

– “Të ndërhysh ti Dashi, dhe të më sjellin si shoqërues të parë, Agron Shkëmbin”.

Kishte një rregull, që shoqëruesit e anëtareve të Byrosë Politike, duhet të ishin mbi 1.80 cm. Agroni ishte i shkurtër, rritën takat e këpucëve, që të dukej disi më i gjatë dhe ia plotësuam Llambi Gegëpriftit dëshirën dhe ai mori si shoqërues të parë, Agron Shkëmbin.

– Me sa di, ju keni edhe një histori me Rita Markon?!

Po, është e vërtetë. Shkonte njëherë Rita Marko në Korçë dhe u caktova unë, ta shoqëroja. Kur po i afroheshim Pogradecit, më thotë i inatosur, – “Ore Dashi, nga Çollakët je ti”?!

– “Po shoku Rita” -, i them unë.

– “Po Astrit Çollakun, çfarë e ke”?

– “Jemi kushërinj të afërm”, i them unë.

– “Pah… ç’më ka bërë ai njeri mua, më ka hequr kuzhinierin më të mirë nga Kampi i Kuadrove, Risto Çomon dhe e ka marrë në Hotel – Turizmin e ri, ku është vetë drejtor”!

Qëndruam tek Turizmi i ri dhe Rita Marko, takoj Astritin. Filluan të përplasen me fjalë. Rita Marko ahere, ishte anëtar i Byrosë Politike por dhe President, i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, por Astrit Çollaku, ishte vëllai i “Heroit të Popullit”, Reshit Çollakut.

Astriti, i qëndroi serioz dhe i tha se; e kishte marrë Risto Çomon, se mendonte që aty është më mirë, pasi vijnë njerëz të rëndësishëm dhe shumë të huaj, që vizitojnë Pogradecin dhe hanë në Turizëm dhe duhej patjetër, një mjeshtër kuzhine…!

– “Po dhe atje, do të hajë me cilësi, klasa punëtore”, i thotë Rita…!

– “Atje, nuk ha klasa punëtore, por kuadrot kryesore të vendit, prandaj quhet Pallati i Kuadrove”, – ja ktheu Astriti, duke ngritur tonin e zërit.

Rita këmbëngulte: “Do të hedh në gjyq, se ke vendosur autoritetin tënd, me drejtuesit e rrethit, që e ke marrë Riston…”!

Astritim iu preu shkurt: “Kam dërguar një kuzhinier tjetër atje, Asim Sokolin, dhe ai është i mirë për atje, kot që bëjmë llogje…”?! Më pas hëngrën një drekë të dy, gatoi Ristua, një tavë me Koran…! Iku Rita Marko në Korçë dhe nuk e hapi më atë muhabet…!

– Dashi, kur u larguat nga “Blloku”, udhëheqjes?

– Menjëherë pas arrestimit të Kadri Hazbiut. Vëllain tim, Mehdinin, që kishte grua, vajzën e Kadri Hazbiut, së bashku me të shoqen, e internuan në Rrëshen, ndërsa mua, më çuan si Shef Policie në Kukës.

Në Kukës, ruaj përshtypjet më të mira, nga populli i atij rrethi dhe e dua Kukësin, si Pogradecin. Që ditën e dytë, më thërret sekretari i Parë i Kukësit, Sulë Bushati dhe më thotë: “Dashi, mos çaj kokën fare, shiko punën, nuk të ngacmon njeri, ke mbrojtjen time. Me familjen e Çollakëve, unë jam mik i ngushtë”!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu