Ballina Opinion Protesta e shpresës, jo e frikës

Protesta e shpresës, jo e frikës

57
0

Nga Genc Sejko

Në fund të vitit 2018, së bashku me disa shqiptarë të tjerë të diasporës, erdhëm në Tiranë për të protestuar në mbështetje të disa prej kauzave më të rëndësishme të asaj kohe: studentët, Teatri Kombëtar, Unaza e Re dhe çështje të tjera që prekën interesin publik. Shumica prej bashkëpunëtorëve të mi të afërt, përfshirë edhe mua, nuk kishim asnjë ambicie personale. Na bashkonte vetëm dëshira e sinqertë për të parë më mirë vendin ku kemi lindur dhe me të cilin vazhdojmë të ndihemi të lidhur.

Asaj proteste treditore iu bashkua vetëm një pjesë e grupimeve që mbështesnin këto kauza. Opozita e kohës, e drejtuar nga Lulzim Basha, zgjodhi të mos e mbështeste. Po ashtu, protesta u refuzua edhe nga lëvizja e Arlind Qorit, ndonëse i kisha bërë një ftesë të drejtpërdrejtë për t’u bërë pjesë e saj.

Megjithatë, pavarësisht këtyre refuzimeve, ne nuk nxituam t’i shpallnim kundërshtarët tanë armiq. Nuk kaluam para kafeneve për të intimiduar ata që nuk na u bashkuan. Nuk protestuam para selisë së PD-së për të quajtur të shitur ata që ndodheshin brenda. Nuk bëmë asgjë nga këto, sepse kam besuar gjithmonë se protesta duhet të ngjallë shpresë, jo frikë. Frika e vetme që duhet të prodhojë një protestë është ajo që ndjejnë ata që qeverisin, kur përballen me qytetarë të vendosur dhe të ndërgjegjshëm.

Ajo që ndodhi mbrëmë pas protestës më la një shije jo të mirë. Ata që qëndrojnë në kafene apo në selinë e PD-së nuk janë armiqtë tuaj. Ata ndoshta mendojnë si ju por nuk e kanë forcën të protestojnë. Ndoshta ka dhe nga ata që janë skeptikë. Nëse nuk arrini t’u fitoni zemrën, mos kërkoni me çdo kusht të fitoni urrejtjen e tyre. Nga urrejtja nuk fiton askush; ajo vetëm thellon ndarjet dhe largon njerëzit nga njëri-tjetri.

Në fund, dua të them se lëvizjet më të bukura dhe më të suksesshme janë ato që mbushin njerëzit me shpresë dhe i bëjnë të besojnë se ndryshimi është i mundur. Janë ato që reflektojnë qytetari dhe mirësi. Mllefi dhe urrejtja nuk kanë prodhuar kurrë rezultat të mirë për vendin dhe shqiptarët.

Për të arritur tek të gjjthë, zemrat e njerëzve duhet të mbushen me shpresë, besim dhe vizion, jo me frikë dhe intimidim.