Nga Artan Fuga
Është lajm i mirë që qarkullon se nesër, ditën e enjte, mblidhet Kuvendi i Shqipërisë në seancë. Por, ajo për mendimin tim modest si qytetar duhet të jetë një seancë e jashtzakonshme, jo me një rend dite mediokër, ose me debate që në fakt siç ndodh prej vitesh fshehin dhe pengojnë debatin e vërtetë.
Të shahesh me libër shtëpie, nuk i vlen asnjë qytetari. Mjaft me këtë lojë që na ka çuar këtu ku jemi!
Një seancë e jashtzakonshme le të zgjasë dhe 12 orë, dhe 24 orë, por kombi, qytetaria, shoqëria, studentët, rinia, të gjitha shtresat e shoqërisë kërkojnë zgjidhje nga Kuvendi. Madje desha të them nesër e kërkojnë ekskluzivisht nga Kuvendi, Presidenti, jo nga Kryetari i ekzekutivit i punësuar nga ata!
Nuk mund të vazhdojnë të fshihen deputetët, siç kanë bërë shumica dërmuese e tyre këto ditë, të qendrojnë në shtëpi, apo të strehohen në tik-tokun e realitetit numerik, në ajër, apo nëpër kabllo, duke bërë ndonjë deklaratë fluturake sa për të larë gojën.
Kërkohet zgjidhje politike e krizës. Kanë sipas meje nja gjashtë a shtatë modele zgjidhjesh që duhet t’i shqyrtojnë të gjitha një e nga një dhe të dalin nga salla me modelin e zgjidhjes para popullit shqiptar dhe botës që na vështron si hamë me dhëmbë njëri tjetrin!
Hamë edhe Shqipërinë!
Kjo është detyra e Niko Peleshit dhe e kryesisë së Kuvendit, jo të bëjë predikime morale qaramane pa asnjë vlerë, e kryetarëve të grupeve parlamentare, e çdo kryetari komisioni dhe pastaj e çdo deputeti.
Po nuk u orientuan aty ku kombi e kërkon do të kenë mbi shpatulla fajin e rëndë personal dhe kolektiv të moskryerjes së detyrës, nëse duhet ta them me një gjuhë të lëmuar, sepse faktikisht me gjuhë juridike do të ketë emër tjetër.
Nesër shihet: I dalin zot vendit, sidomos ata deputetë të përgjegjshëm nga të gjitha krahët, që nuk kanë ngarkesë aq të drejtpërdrejtë për t’i bërë përgjegjës për krizën e rëndë që kalon qytetërimi shqiptar sot, apo do t’a lënë të rrëshqasë në humnerë si një lis i prerë që rrëshket në hone të thella duke u copëtuar në dhjetëra degë, trungje, gjethe që i merr era!!!
Të gjitha zgjidhjet i kanë në tavolinë!
Sipas kushtetutës, sado e përdhosur që është, sado e mangët, sado e ka privuar kombin nga zgjidhja e krizave politike dhe sociale si kjo që jetojmë.
Por, kjo kërkon që:
1. Deputetët të mos sillen si grup parlamentar politik në urdhërat e partive. Nuk është kjo çfarë kërkon dhe detyron kushtetuta, por si persona të veshur me pushtet që kanë përgjegjësi personale për çka bëjnë dhe thonë.
2. Detyrimisht duhet që deputetët pa përjashtim të shprehen individualisht me zë ose me votë për të gjitha zgjidhjet që kushtetuta vë në tavolinë dhe presin!
3. E gjithë seanca të trensmetohet minutë pas minute në të gjitha televizionet.
4. Të mos shihet ndarja partiake e deputetëve dhe nga deputetët, por këta të hyjnë në negociata përtej-partiake për të kërkuar krijimin e shumicave qoftë edhe të përkohëshme për t’i dhënë zgjidhje krizës me propozim konkret dhe të qartë politik, që ta bindi qytetarin se kombi ka fuqi të ecë në rrugë të mbarë dhe paqësore.
Logjika e disiplinës parlamentare partiake është jokushtetuese dhe nuk e shpëton asnjë deputet nga përgjegjësia personale! Nuk e shpëtojnë as deklaratat, por sjellja, përpjekjet, vota në Kuvend, është ajo që mat dhe bën dallimin!
5. Askush nuk e lan gojën me zgjidhje që nuk parashikohen në Kushtetutë ose me një fjalë goje si formulë magjike, sado radikal që të duket, kushdo që sillet kështu bllokon zgjidhjen. Vendi ka nevojë për zgjidhje politike kushtetuese që të sigurojnë funksionimin normal të shtetit, të demokracisë, të realizimit të vullnetit qytetar, të zgjidhjes së krizës që qeveria aktuale nuk po duket se po ja del mbanë dhe nuk duket fare se e ka ndërgjegjen e honit të thellë ku jemi zhytur rrezikshëm, as zgjidhet me dhunë.
Nuk pranohen zgjidhje fluturake sa për të larë gojën dhe u pëlqyer nga publiku në sheshe apo në banesa pranë ekraneve, që kur i dëgjon thua: A mendojnë vallë këta njerëz? A janë të përgjegjshëm për çka thonë?
Deputetë, detyra juaj të enjten nuk është të mos mblidheni, as të bëni sikur grindeni, as të zbatoni si robotë disiplina partiake duke i përdorur si çarçafë për të mbuluar fytyrën e skuqur nga fajësimi dhe turpi, por të jepni zgjidhje!
Kini parasysh se përpara kombi dhe historisë në fund secili paraqitet vetëm, fillikat, si përpara Zotit, dhe atëhere askush nuk mund të justifikohet me “disiplinën partiake”, si mekanizëm kriminal dhe antikushtetues!
Qytetarët e kanë humbur besimin te ju! Është në dorën tuaj të mos humbni shansin e fundit që ju jep historia, jo për ju vetëm, personalisht, por për Shqipërinë së cilës i detyrohemi të gjithë!







