Dronë, radarë dhe makina inteligjente kanë monitoruar gjatë gjithë javës akset rrugore të qarkut të Durrësit, në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror.
Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara nga 24 deri më 31 gusht, Policia Rrugore arrestoi 8 drejtues mjetesh dhe procedoi penalisht 5 të tjerë për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjatë kësaj periudhe u vendosën gjithsej 1.621 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Pjesa më e madhe e tyre, 965 , ishin për tejkalim të shpejtësisë.
Ndërkohë, u vendosën edhe 518 gjoba për ndalim ose qëndrim të gabuar, 44 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 41 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 30 për parakalime të gabuara dhe 23 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale, me përdorimin e mjeteve bashkëkohore, me synim rritjen e sigurisë rrugore.







