Aktorja e njohur shkodrane, Rita Ndoci, i është drejtuar me një letër publike tejet të ashpër dhe të mbushur me revolte kryeministrit Edi Rama, duke rikthyer në dritë të kaluarën e tij përpara rënies së regjimit komunist dhe duke e akuzuar për shpërfytyrim të plotë të karakterit.
Përmes një reagimi që po bën xhiron e rrjetit, Ndoci i kujton Ramës vitet 1989-1990, kur ai si pedagog „përpëlitej“ për të mbrojtur studentët e tij, duke bërë një paralelizëm me paketën e fundit drakoniane që qeveria po përgatit sot për të ndëshkuar dhe dëmtuar dëshmitë e penalitetit të studentëve protestues.
Aktorja shkon deri aty sa e quan kreun e qeverisë “Kalin e Trojës së Perestrojkës“, duke hedhur hije dyshimi se misioni i tij i hershëm ishte thjesht rikthimi në pushtet i brezit të ri të nomenklaturës komuniste. Ajo nuk ka kursyer as ironinë therëse për thashethemet e hershme rreth një “kartele shëndetësore“, duke u shprehur se nëse dikur mendohej se ajo kartelë psikiatrike përdorej si mburojë ndaj sistemit komunist, sjelljet e tij të gjata në pushtet tregojnë se diagnoza paska qenë e vërtetë.
Më poshtë vijon reagimi i plotë dhe i paprekur i aktores Rita Ndoci drejtuar Edi Ramës:
“Si të erdhi dita mor Ed….gjithka u kthekërka në këtë jetë. Karma qënka kokrra e biçit. A të kujtohet si ishe në tetor 1989? A të kujtohet si “përpëliteshe për studentët e tu, pra ne” për të na mbrojtur? Po përse çuditesh mbas 37 vjetëve që pedagogët janë në krah të studentëve dhe solidarizohen me to? Ti kërkon ti ndëshkosh studentët dhe të kenë në dëshminë e penalitetit njolla se janë ngritur kundër teje dhe qeverisë tënde qesharake?
Marre, marre. A të kujtohen debatet në vitin 1989, 1990 me të “mëdhenjtë e asaj kohe” për të përmirësuar jetën tek studentët? Të njëjtat tema janë sot. Po ti i paske pas rrena me qëllim që…… Po ti paske qënë kali i Trojës i Perestrojkës more?!? Po ti ktheve të gjithë brezin e ri të familjeve të nomenklaturës komuniste.!!!
Për Zoten duhet me të ardh marre se si je shpërfytyru nga karakteri ( në e paç pasë ndonjë jerë) që nga 1989. Pu çpaske qënë.!!!! Ne e dinim që kishe “Kartelë”, por asaj kohe ishte e kollajtë të nxirrje një të tillë, se ishte për mbrojtje nëse do të të hante goja të flisje kundër sistemit konunist, po të kishe kartelë nga psiqiatri nuk ndëshkoheshe penalisht, duke qënë se je i papërgjegjshëm për veprimet që bëje.
Poooor siç duket me sjelljet tuaja 28 vjeçare nëpër pushtet ajo kartelë paskërka qënë e vërtetë me diagnozën. Ik më mirë para se të të heqin. Kjo rini nuk duron pushtnim nga askush, e nga ti absolutisht jo.”







