Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha po mban një deklaratë për mediat nga selia blu.
Ai u ndal në Paqen Fiskale, të cilin e quajti një amnisti për pastrimin e parave të drogës për kartelet shqiptare të drogës dhe ortakët e tyre në Amerikën Latine.
“Edi Rama, zëdhënës kryesor në Europë i karteleve të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, me të ashtuquajturën Paqe Fiskale, ka sanksionuar amnistinë për paratë e drogës, krimit, jo vetëm të karteleve të fuqishme shqiptare të kokainës dhe kanabisit, por edhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
Një ligj, të cilin qeveria e SHBA, BE, por edhe vendet e tjera partnere, e kundërshtuan në mënyrën më të prerë para dy vitesh, Edi Rama e ka votuar në parim në parlament.
Ky akt është mbështetja publike më e fuqishme që Ramaduro, shefi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, u bën karteleve shqiptare të drogës dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
PD, deputetët e saj, në komisionet përkatëse, kanë mbajtur qëndrime të prera kundër kësaj përpjekje. Kanë bërë amendamente shumë të qarta, por nuk janë marrë parasysh asnjëra prej tyre nga mazhoranca.
Për PD-në, grupin e saj parlamentar, ligji është një mundësi ligjore për pastrimin e parave nga klanet e drogës dhe krimit.
Për evazionin e mëtejshëm fiskal.
Për shmangien e bizneseve nga detyrimet fiskale të ardhshme kundrejt shtetit”, tha ai.







