Projektet për gjashtë dritare me xham të pikturuar që synojnë të zëvendësojnë ato ekzistuese në Katedralen e Notre Dame, u ekspozuan të martën në Grand Palais në Paris.
Dritaret, të cilat kanë shkaktuar një debat të nxehtë në Francë, pritet të instalohen në anën jugore të katedrales deri në fund të vitit 2026.
Objekti monumental parizien është ende duke u restauruar, pas zjarrit shkatërrues të prillit 2019.
Veprat shtatë metra të larta, nga artistja Claire Tabouret, riinterpretojnë rrëfimin e Pentekostit në një stil të gjallë dhe bashkëkohor.
Skenat përshkruajnë figura që marrin shpërthime zjarri – simbol i ripërtëritjes dhe origjinës së katedrales.
Projekti është i diskutueshëm sepse përfshin heqjen e dritareve të padëmtuara që arkitekti francez Eugène Viollet-le-Duc kishte instaluar në mesin e shekullit të 19-të, si pjesë e restaurimit të Notre Dame.
Disa kritikë kanë thënë se ndërhyrja e artistëve të sotëm, nuk duhet të jetë në kurriz të veprave ekzistuese. Të tjerë kanë paralajmëruar se zëvendësimi mund të shkatërrojë lojën e ekuilibruar në mënyrë të imët të dritës në kapela.
Një peticion për të ruajtur dritaret historike të kishës, mblodhi pothuajse 300,000 nënshkrime.
Tabouret është një artiste me famë ndërkombëtare, e njohur për veprat e saj me ngjyra të ndezura, në të cilat figurat – kryesisht fëmijë dhe të rinj – krijojnë një ndjesi drame latente.
Dizajnet mund të shihen nën titullin “D’un seul souffle” (Me një frymë të vetme) deri më 15 mars.







