Ballina Aktualitet Raporti i KLSH: Dhuna në shkolla alarmante, mungon kriteri që përcakton kur...

Raporti i KLSH: Dhuna në shkolla alarmante, mungon kriteri që përcakton kur duhet njoftuar Policia

0
20

Raporti i KLSH-së për sigurinë në shkolla ngre alarmin për dhunë fizike dhe verbale dhe vë në pikëpyetje efektivitetin e rolit të oficerit të sigurisë në këto institucione.

Nga gjetjet e auditimit për periudhën 2021-2024, rezulton se forma më e përhapur e problematikave në shkolla mbetet dhuna fizike, me 892 raste të referuara gjatë periudhës së audituar. Pas saj renditet dhuna psikologjike dhe verbale, me 333 raste të raportuara, ndërsa bullizmi, një nga sfidat më shqetësuese për mjedisin shkollor është evidentuar 186 herë në të njëjtën periudhë. Po ashtu, kërcënimet, shantazhet dhe përndjekjet rezultojnë me 178 raste, ndërsa përdorimi i drogës, cigareve apo alkoolit shfaqet në 133 raste.

Në vijim, raporti zbulon se indikatorët e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare janë përkeqësuar ndjeshëm në katër muajt e parë të vitit shkollor 2024–2025. Vetëm gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 528 incidente, ku dominon dhuna fizike, si dhe janë kapur 8 nxënës që mbanin armë.

Por auditimi ngre edhe një tjetër shqetësim që lidhet me mungesën e një kriteri të qartë që të përcaktojë kur një ngjarje apo problematikë duhet t’i raportohet jo vetëm titullarit të institucionit arsimor dhe ZVAP-it, por edhe Policisë së Shtetit.

Kjo mungesë standardi ka krijuar një zinxhir pasojash. Oficerët e sigurisë, siç thekson edhe ASCAP, shpesh vetëcensurojnë raportimet e incidenteve në link-un përkatës, duke mos evidentuar emrin e shkollës dhe duke u ndier nën trysninë e drejtuesve të institucioneve arsimore.

Vetë oficerët kanë pranuar se janë ndier nën presion për të raportuar ose për të mos raportuar raste të ndryshme, çka e shndërron procesin në një mekanizëm të brishtë, ku shmangia e konfliktit me prindërit apo drejtuesit e shkollave çon në moszbatim të detyrimeve të parashikuara qartë në aktet nënligjore.

Kjo ngre një pyetje thelbësore: si mund të ushtrohet me objektivitet diskrecioni i lejuar nga udhëzuesi, kur vetë oficerët hezitojnë të zbatojnë edhe detyrimet më bazike për shkak të presioneve të jashtme? Sa të përgatitur janë për të marrë vendime të tilla, kur nga 120 orë trajnimi, vetëm rreth 60 u dedikohen njohurive teorike?

Në mungesë të këtij kriteri, rreziku që incidentet të mos referohen, të minimizohen ose të trajtohen brenda shkollës në mënyrë të pasaktë e jo profesionale, mbetet real dhe me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë e nxënësve dhe efikasitetin e mekanizmave të mbikëqyrjes, përfundon raporti.