Ballina Opinion Dirigjenti Edi Rama simbol i kleptokracisë, Bela ekzekutore, simbioza e një bande...

Dirigjenti Edi Rama simbol i kleptokracisë, Bela ekzekutore, simbioza e një bande hajdutësh

16
0

Nga Ilir DAKO

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të Ballukut nuk është thjesht një episod juridik, por një akt që shpalos gjithë mekanizmin e deformuar të Reformës në Drejtësi, duke e ekspozuar si një projekt të kapur nga presionet politike dhe ndërhyrjet e botës së nëndheshme. Ky vendim nuk u mor në një vakum, por në një atmosferë ku kryeministri Rama përdori gjuhën e tij të zakonshme të presionit verbal, duke e shndërruar drejtësinë në një arenë ku gjyqtarët nuk gjykojnë mbi bazën e ligjit, por mbi bazën e kalkulimeve të pushtetit. Kjo është një shenjë e qartë se reforma, e cila u prezantua si një mjet për të çliruar drejtësinë nga korrupsioni dhe patronazhi, ka dështuar në disa prej komponentëve më kritikë, duke e kthyer sistemin në një instrument të pushtetit ekzekutiv.

Në këtë kontekst, veprimet e Ramës tregojnë një qëndrim të hapur në mbrojtje të fenomenit korruptiv. Nëse për ministrat e tjerë si Tahiri, Koka, Bllako, Ahmetaj apo Veliaj pranoi me dhimbje ndërhyrjet e drejtësisë, në rastin Balluku ai vendosi një vijë të kuqe, duke dalë hapur në mbrojtje të saj. Ky dallim mes dy grupeve është i rëndësishëm: të parët u konsideruan hajdutë ordinerë që vidhnin kumbulla pas shpinës së tij, ndërsa Balluku dhe drejtorët e saj u klasifikuan si pjesë e një rrethi zjarri, një zonë e mbrojtur ku drejtësia nuk lejohet të fusë hundët. Në këtë hajdutëri të pashembullt të aseteve dhe parave publike, Rama shfaqet si dirigjenti, ndërsa Balluku dhe drejtorët e saj si ekzekutuesit e një simfonie të korruptuar, ku çdo notë është e lidhur me tenderë, licenca dhe koncesione që shkojnë deri në dhjetëra miliona euro.

Skema e ndërtuar është e dyfishtë: në nivel kombëtar, Rama lëviz përmes licencave, koncesioneve, lejeve të ndërtimit, bashkëpunimit me kartelet dhe tenderave, duke siguruar përmes sistemit të famshëm të 30 përqindëshit fitime marramendëse. Në nivel ndërkombëtar, tenderët dhe licencat kthehen në qoka për figura me ndikim në botën politike, duke u përdorur si monedhë shkëmbimi për të blerë influencë dhe mbështetje. Kështu, tenderi i Llogarasë iu dhurua mikut të Erdoganit, aeroporti i Vlorës u shndërrua në një tjetër dhuratë, ishulli i Sazanit iu fal Kushnerit, dhëndërit të Donald Trump, ndërsa Korpusi Universitar iu dorëzua Mogerinit dhe fondacionit të saj me 22 milionë euro plus tokë. Aferat me fondacionin Soros, ku ky i fundit ndërhyn në projekte të ndryshme, nga spitalet private te kërkimet për naftë, janë pjesë e të njëjtës logjikë: pasuritë kombëtare shndërrohen në instrumente për të blerë mbështetje dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e pushtetit. Porti tregtar i Durrësit, me vlerë rreth 400 milionë euro, iu dhurua një kompanie të lidhur me elitën e Emirateve Arabe, ndërsa projekti Smart City, me vlerë 120 milionë euro, i jep një tjetër kompani të lidhur me autokratët e Abu Dhabit mbikëqyrjen e shqiptarëve. Kjo listë është vetëm një e dhjeta e pronave, koncesioneve dhe tenderëve që Rama përdor për të krijuar influencë dhe për të qëndruar pafundësisht në pushtet. Motoja e tij “bli influencë për të qëndruar sa më gjatë” është më e dukshme se kurrë, ndërsa pasuritë kombëtare po zhbëhen çdo ditë për të ushqyer një pushtet të kalbur që ka mbijetuar për katër mandate.

Ky shpërdorim nuk është thjesht korrupsion ekonomik, por një strategji politike për të mbajtur gjallë një sistem autokratik ku pozita dhe opozita janë pjesë e të njëjtës lojë. Pluripartizmi ka vdekur, opozita është shndërruar në marionetë të Ramës, duke përfituar nga tenderët dhe koncesionet, ndërsa kreu i saj ka marrë peng opozitarizmin shqiptar, duke e kthyer në një farsë. Çdo rebelim i mundshëm nga pakënaqësia popullore neutralizohet përmes këtij sistemi kleptokratësh, ku pasuria publike përdoret si karburant për të blerë heshtje, për të blerë besnikëri dhe për të blerë kohë. Shqipëria ndodhet në një situatë të rëndë, ku pasuritë kombëtare po shkatërrohen, drejtësia po përdhoset dhe politika është shndërruar në një komedi, ku dirigjenti dhe ekzekutuesit e tij luajnë një simfoni të pafundme korrupsioni. Ky është realiteti i një vendi ku reforma në drejtësi ka dështuar të mbrojë parimin e barazisë para ligjit dhe ku pushteti ka arritur të ndërtojë një arkitekturë të plotë patronazhi, duke e kthyer Shqipërinë në një laborator të autokracisë moderne, ku çdo gjë blihet dhe shitet, përveç lirisë dhe dinjitetit të qytetarëve. Nëse dikur korrupsioni shihej si një plagë e tranzicionit, sot ai është shndërruar në vetë sistemin, në vetë strukturën e shtetit, ku çdo institucion është i kapur dhe çdo vendim është i kushtëzuar nga interesat e pushtetit. Edi Rama është shndërruar në simbol të kleptokracisë dhe banda e tij qeveritare janë hajdutët sistematikë që grabisin çdo qindarkë të taksave të shqiptarëve.