Ballina Opinion Konflikti Rama Kurti, nga paaftësia, deliri, apo po i drejton Beogradi

Konflikti Rama Kurti, nga paaftësia, deliri, apo po i drejton Beogradi

32
0

Nga Spartak Ngjela

Askush sot nuk mund ta dijë se ku po shkon Shqipëria e ku po shkojnë shqiptarët.

Por ky fakt është quajtur në histori qorrsokaku i popujve që kanë humbur drejtimin.

Askush nuk e di sot se çfarë do bëhet me Shqipërinë dhe Kosovën, dy shtete shqiptare qē jane të ndarë, sepse të dy shtetet shqiptare i kanë në drejtim liderë të paaftë qe nuk dinë ç’të bëjnë për zhvillimin kombëtar, për shtetin, tregun dhe interesin kombëtar, dhe, për marrëveshjen e thellë ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjendja nuk po jep asnjë shpresë. Kryeministri dhe qeveria aktuale në Tiranë, nuk ka një program dhe skemë zhvillimi. Qeveritë që nuk kanë një doktrinën e tyre për zhvillimin kombëtar, nuk janë në punë për vendin që po drejtojnë, por për vete.

Përse e do postin e kryeministrit një individ që nuk di se çfarë është shteti, çfarë është prodhimi bujqësor dhe si krijohet zhvillimi dhe rritja e zhvillimit në sensin ekonomik; ç’është prodhimi industrial, çfarë është mirëqenia e një shoqëri dhe si duhet të ngrihet në mënyrë permanente mirëqenia e shoqërisë që një kryeministër po drejton.

Opozita sot në Shqipëri ka humbur në inekzistencë. Paqenia e opozitës në nje shtet demokratik, e kthen gjendjen në abuzimin e maxhorancës për interesin e vet material, në drejtimin e shtetit dhe gjithmonë me korrupsion.

Një kryeministër e kërkon postin e tij kundrejt shoqërisë së vet, ose për të ngritur zhvillimin kombëtar, ose për të përfituar materialisht për vete dhe familjen apo fisin e tij.

Shqipëria dhe shqiptarët ende janë në gjendje që nuk po dihet se si mund të shkojë çështja e dy shteteve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

E gjithë kjo është pasoje e klasës politike që po drejton Shqipërinë.

Këta njerëz të flashkët që po drejtojnë Shqipërinë dhe Kosovën: janë të paaftë, apo u shërbejnë pushtuesve shekullorë të territoreve shqiptare?

Por, për faktin që shqiptarët janë populli me besim të plotë te politika amerikane, a do t’i ndihmojë aleati i madh shqiptarët të dalin nga kjo gjendje e mjerimit politik ku nuk ka ende një program konkret për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë?

Po Partia Socialiste, nuk e sheh që kryetari i tyre që është edhe kryeministër i Shqipërisë nuk di të bëjë asgjë për zhvillimin kombëtar?

Kjo gjendje është e pamundur që të ketë ardhur vetëm nga paaftësia, prandaj pyetja që ngrihet për këtë rast është kjo:

Ky Rama është i paaftë që nuk po di të bëjë asgjë për Shqipërinë?

Ky Rama, është i paftë, apo është kundër Shqipërisë?

Rama, mos ndoshta edhe ky po tregohet si ata kryeministrat që ishin para tij dhe drejtuan përpara se të vijë ky në pushtet? Shumica e tyre nuk kanë punuar për Shqipërinë, por për interesin e fqinjëve pushtues të tokave Shqiptare. E di Rama këtë?

Rama duhet ta dijë këtë, se, në të kundërt, me plogështinë e tij si njohës i shtetit, i tregut dhe ekonomisë, dhe këmbëngulja e tij për të qëndruar në post edhe duke mos bërë asgjë për vendin, të krijon idenë se nuk po punon për Shqipërinë.

Po konfliktin që ka Rama me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e ka nga paaftësia e tij që e ka çuar në delir, apo këtë kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës po e drejton Beogradi?

Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Parë në një sens historik, si mund ta shpjegosh ndryshe konfliktin qesharak midis Ramës dhe Kurtit, veçse që ky konflikt drejtohet nga Beogradi. (!)

Është e vërtetë që këta janë dy kryeministra që nuk e njohin mendimin historik të shqiptarisë dhe vetë historinë antishqiptare që kanë drejtuar të huajt kundër shqiptarëve në një histori të gjatë, por atëherë, pse rrinë ne krye të qeverive?

Ja, kjo është pyetja që të shyn të mendosh për atë që thamë më lart.

Të gjitha këto, janë disa nga çështjet që mbështjellin çështjen e staniacionit në zhvillimin e Shqipërisë. Por ka dhe shumë të tjera, të cilat ne do t’i paraqesim rast pas rasti.