Ballina Politika ‘Taksa e padeklaruar’, Tabaku: Korrupsioni që po mbyt biznesin dhe ekonominë shqiptare

‘Taksa e padeklaruar’, Tabaku: Korrupsioni që po mbyt biznesin dhe ekonominë shqiptare

33
0

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj gjetjeve të Barometrit të Ballkanit Perëndimor 2025, duke i cilësuar ato si alarmante për gjendjen e klimës së biznesit dhe funksionimin e shtetit në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Barometrit, mbi 50% e bizneseve shqiptare deklarojnë se për të përfunduar një procedurë apo për të mbyllur një punë me shtetin janë të detyruara të paguajnë ryshfet. “Një në dy biznese pranon se paguan atë që sot është kthyer në ‘taksën e korrupsionit’,” u shpreh Tabaku, duke theksuar se korrupsioni nuk është më një devijim i rastësishëm, por një sistem i ngritur dhe i institucionalizuar.

Tabaku theksoi se korrupsioni shtrihet në të gjitha nivelet e administratës: nga shërbimet që pretendohet se janë online, te tenderët, koncesionet dhe Partneritetet Publik-Private, deri te doganat dhe tatimet. Sipas saj, kjo “taksa e korrupsionit” i jep oksigjen qeverisjes, por në të njëjtën kohë po varfëron vendin dhe po shkatërron besimin e qytetarëve dhe të bizneseve te shteti.

Deputetja demokrate nënvizoi se pasojat e korrupsionit sistemik janë të drejtpërdrejta: largimi masiv i të rinjve nga vendi, rritja e çmimeve, shtimi i barrës fiskale dhe trajtimi i padrejtë i bizneseve të ndershme. “Bizneset sot ndëshkohen jo nga tregu, por nga korrupsioni dhe nga një sistem që nuk funksionon për shumicën,” tha Tabaku.

Duke folur për zgjidhjet, Tabaku theksoi se situata mund të ndryshojë vetëm me një vullnet të hekurt politik për ndërtimin e shtetit dhe për vendosjen e interesit të qytetarëve në qendër të politikave publike. Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për një sistem të ndershëm, që punon për shumicën dhe jo për pakicën, me një filozofi qeverisëse krejt ndryshe nga ajo që po aplikohet sot.

Në përfundim, Tabaku u shpreh se ndryshimi kërkon edhe fundin e çdo mbrojtjeje politike për të korruptuarit. “Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të jetë streha e të pandehurve. Qeveria shqiptare nuk mund të shërbejë si mburojë politike për korrupsionin. Shqipëria meriton një qeveri normale,” përfundoi ajo.