Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, pasi gazetarja sportive e njohur Christina Chambers dhe bashkëshorti i saj Johnny Rimes janë gjetur të pajetë në banesën e tyre në Alabama, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se po hetojnë rastin si një vrasje e ndjekur nga vetëvrasja, ndërsa nuk ka rrezik për publikun.
Trupat e çiftit u zbuluan nga një familjar në orët e paradites të së martës. Shërbimet e emergjencës konstatuan vdekjen e një burri dhe një gruaje, të dy me plagë fatale nga armë zjarri. Djali i tyre trevjeçar ndodhej në banesë, por fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë dëmtim.
Christina Chambers ishte një figurë e njohur në median lokale, me një karrierë dhjetëvjeçare në televizionin WBRC, ku mbulonte kryesisht sportet universitare dhe ato të shkollave të mesme në Alabama dhe Georgia. Pas martesës në vitin 2021, ajo kishte nisur punë edhe si edukatore në një shkollë të mesme, duke vazhduar paralelisht raportimet si gazetare e pavarur.







