Ballina Editorial SHBA dhe Trump, firmosin ndëshkimin për Ramën dhe Berishën

SHBA dhe Trump, firmosin ndëshkimin për Ramën dhe Berishën

61
0

Nga Ermal Peçi

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të formalizuar një regjim të ri sanksionesh ndaj aktorëve destabilizues në Ballkanin Perëndimor, nuk është një akt diplomatik rutinë. Për Shqipërinë, ky vendim është një kambanë alarmi që bie fort mbi një realitet të njohur, por të mohuar për vite me radhë: Kapjen e institucioneve, korrupsionin sistemik dhe përdorimin e pushtetit për interesa personale e klienteliste. Ai përbën një aktakuzë politike të qartë ndaj klasës që e ka sunduar dhe vazhdon ta sundojë vendin prej dekadash. Në qendër të kësaj aktakuze qëndrojnë dy figura simbolike të këtij tranzicioni të kalbur: Edi Rama dhe Sali Berisha.

Teksti i miratuar nga Kongresi amerikan nuk flet në ajër. Ai përmend qartësisht korrupsionin e zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve, minimin e institucioneve demokratike dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut si bazë për sanksione të drejtpërdrejta. Këto nuk janë terma abstraktë për Shqipërinë; përkundrazi, janë përkufizime që përputhen në mënyrë shqetësuese me realitetin politik dhe institucional të vendit.

Për vite me radhë, korrupsioni në Shqipëri është trajtuar si një problem “i brendshëm”, i relativizuar me justifikime folklorike dhe i mbrojtur nga një kulturë pandëshkueshmërie. Tashmë, Uashingtoni e ka bërë të qartë se kjo qasje ka marrë fund. Kur korrupsioni cenon stabilitetin, demokracinë dhe besueshmërinë e shtetit, ai shndërrohet në çështje sigurie ndërkombëtare.

Bllokimi i pasurive dhe ndalimi i vizave nuk janë masa simbolike. Janë goditje direkte ndaj elitave politike dhe ekonomike që për vite me radhë kanë ndërtuar pasuri, ndikim dhe imunitet, duke u fshehur pas flamurit të sovranitetit, ndërsa në prapaskenë kanë minuar shtetin. Mesazhi është i qartë: paratë e dyshimta dhe pushteti i abuzuar nuk gëzojnë më mbrojtje ndërkombëtare.

Në rastin e Shqipërisë, ky regjim sanksionesh vë në provë reale edhe retorikën pro-amerikane të politikës vendase. Miqësia me SHBA-në nuk matet me foto, deklarata apo flamuj në fushata, por me respektimin e sundimit të ligjit dhe ndarjen reale të pushteteve. Kush e ka përdorur këtë miqësi si mburojë personale, sot e ka humbur atë.

Koordinimi i ngushtë i SHBA-së me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar e bën situatën edhe më të rëndë për aktorët problematikë në Shqipëri. Rrjeti i shpëtimit po ngushtohet. Nuk bëhet më fjalë për një ndalim vize si “incident diplomatik”, por për izolim të plotë politik, financiar dhe ndërkombëtar. Dihet tashmë se persona pranë Edi Ramës, por edhe pranë Sali Berishës, kanë marrëdhënie të tensionuara me autoritetet britanike, çka pritet të sjellë një valë të dytë ndëshkimesh. Berisha sot është non grata politike dhe morale ndërsa Rama rrezikon të shndërrohet në non grata funksionale.

Regjimi i ri i sanksioneve amerikane nuk synon të ndëshkojë një vend, por të demaskojë dhe ndëshkojë individët që e kanë marrë peng atë. Për herë të parë pas shumë vitesh, ora e llogaridhënies nuk është më teorike. Ajo ka afat, ka emra dhe ka pasoja reale.