Mazhoranca socialiste nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama, ka rrëzuar kërkesën e 5 deputetëve të PD-së për mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit e thirrur të mbahej sot me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministers së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Partia Demokratike ka kërkuar ditën e sotme mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit më datë 6 Janar 2026, ora 11:00.
Në deklaratën e tij për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se, nuk ka ndodhur kurrë që të vonohet shqyrtimi i kërkesës nga Këshilli për Rregulloren e Mandateve për një periudhë dyjavore, me pretendimin absurd se e pandehura ka kërkuar tre javë për t’u mbrojtur.
Sipas tij, e pandehura, Belinda Balluku, që është përballur me akuza të rënda, mund të kërkojë edhe tre muaj ose tre vite, pasi çdo individ, kur kërkohet arrestimi i tij, tenton ta shtyjë dhe ta zvarrisë procesin sa më shumë të mundet. Ai shprehu keqardhjen për faktin se në këtë rast, kërkesa e një personi që akuzohet për abuzim në vlerën e 1.1 miliardë eurove po merr prioritet, duke zvarritur procesin dhe duke e lënë pas kërkesën e prokurorisë.
Bardhi u shpreh se, në përputhje me ligjin, prokuroria ka kërkuar shqyrtimin e çështjes brenda tre deri pesë ditëve, por që sot bëhen dy javë që nga momenti i dorëzimit të kërkesës dhe ende nuk është realizuar as dëgjimi i prokurorisë. Ai theksoi se kjo vonesë është pa precedent dhe ka për qëllim të mundësojë prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve.
Fjala e tij:
Nuk ka ndodhur kurrë që të vonohet shqyrtimi i kërkesës nga Këshilli dy javë, me pretendimin absurd se e pandehura ka kërkuar tre javë për t’u mbrojtur. E pandehura, e kam thënë edhe herës së shkuar, mund të kërkojë dhe tre muaj, mund të kërkojë edhe tre vite, sepse po kërkohet dërgimi i saj në burg. Dhe çdo njeri ndaj të cilit kërkohet arresti me burg, tenton ta shtyjë dhe ta zvarrisë këtë proces sa të mundet. Dhe unë ndjej keqardhje që për kryetarin e kuvendit dhe anëtarët e tjerë të mazhorancës në Këshillin e Mandateve, prevalon kërkesa e dikujt që akuzohet për abuzim 1.1 miliardë euro, përkundrejt kërkesës së prokurorisë.
Sepse siç e dini, prokuroria ka kërkuar shqyrtimin brenda tre, maksimumi pesë ditëve nga momenti që ka mbërritur kërkesa. Sot bëhen plot dy javë nga ky moment dhe ne ende nuk kemi as dëgjimin e prokurorisë për kërkesën që ajo ka sjellë në kuvend. Dhe nuk ka ndodhur kurrë me asnjë rast të mëparshëm që t’i jepet një kohë kaq e gjatë, aq më tepër kur është provuar që po prishen provat dhe po intimidohen. Dua të ju bëjm me dije se ne rithërrasim mbledhjen e këshillit ne 6 janar ora 11:00







