Ballina Sport FIFA po shqyrton ndryshime të reja në rregullin e pozicionit jashtë loje

FIFA po shqyrton ndryshime të reja në rregullin e pozicionit jashtë loje

21
0

FIFA po vazhdon eksperimentimet për ta bërë futbollin më tërheqës dhe më sulmues.

Një nga ndryshimet që po shqyrtohet seriozisht ka të bëjë me rregullin e pozicionit jashtë loje, me synimin për të favorizuar sulmuesit dhe për të rritur numrin e rasteve për gol.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka shpalosur këtë vizion gjatë ceremonisë së “World Sport Summit” në Dubai, ku theksoi se evoluimi i rregullave është pjesë e pandashme e zhvillimit të lojës.

Vite më parë futëm VAR-in për ta bërë futbollin më të drejtë, duke i dhënë arbitrit mundësinë të korrigjojë gabime që janë të dukshme për miliona shikues,” – u shpreh Infantino.

Ai shtoi se FIFA po vazhdon përmirësimin e teknologjisë VAR për të ndihmuar arbitrat në marrjen e vendimeve sa më të sakta.

Sa i përket pozicionit jashtë loje, Infantino tha se rregulli ka evoluar me kalimin e viteve, duke e detyruar sulmuesin të pozicionohet në mënyrë perfekte në vijë me mbrojtësin. “Ndoshta në të ardhmen, për të qenë jashtë loje, sulmuesi duhet të jetë plotësisht me gjithë trupin përpara mbrojtësit,” theksoi ai.

Sipas kësaj ideje, pozicioni jashtë loje do të sinjalizohej vetëm kur sulmuesi është tërësisht përpara mbrojtësit, çka do të sillte më shumë aksion dhe dinamizëm në fazën ofensive të lojës.

Ndërkohë, FIFA po merr masa edhe për të reduktuar humbjen e kohës gjatë ndeshjeve. “Është e rëndësishme që loja të rrjedhë në mënyrën e duhur dhe ndërprerjet të minimizohen sa më shumë,” përfundoi Infantino.