Në Torino, në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër”, Kenan Yildiz dhe rinovimi i kontratës është temë kryesore, por prioritet është gjithashtu gjetja e një mesfushori dhe sulmues krahu. Juve kërkon me çdo kusht të sigurojë një biletë për në Champions League sezonin e ardhshëm, por është e qartë se Spalletti ka nevojë për disa përforcime cilësore për t’ia arritur këtij qëllimi.
Prej kohësh, në Torino, po qarkullon një emër fiks, ai i Federico Chiesa-s, me sulmuesin e Liverpool që është gati të rikthehet në Itali, në një kohë kur tek të kuqtë e ka shumë të vështirë të gjejë hapësira. Spalletti ka dhënë bekimin e tij për transferimin e Chiesa-s pasi e njeh shumë mirë, është një lojtar me të cilin ka punuar tek ekipi përfaqësues.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Juve e kërkon Chiesa-n në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni pasi nuk dëshirojnë të investojnë para kesh për të blerë kartonin e tij. Përcaktues në këtë pikë pritet të jetë edhe vullneti i lojtarit pasi Chiesa kërkon të ndryshojë ambient, një rikthim në shtëpi mund të ndez edhe një herë karrierën e tij. Në pritje për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me sulmuesin “azzurr”, drejtuesit e Juves po përpiqen të kënaqin Spallettin në drejtime të tjera.
Me Tonalin dhe Hojbjerg që janë objektiva kryesorë, por vetëm në verë, tani Comolli është përqendruar për të gjetur një akord me West Ham për transferimin e Guido Rodriguez. Argjentinasi do të transferohet në Torino vetëm nëse palët gjejnë një akord me kosto të ulët ose transferim në formë huazimi.







