Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq ka deklaruar karshi deklaratave të kryeministrit në detyrë të Republikës të Kosovës, Albin Kurti, ku ky i fundit foli për rënie të rrezikut nga spiunazhi dhe për, siç tha, luftë hibride të Serbisë dhe Rusisë kundër Kosovës.
Siç shkruajnë mediat serbe, Petkoviq ka pretenduar se “Kurti do t’i vërë çdo serbi në Kosovë etiketën e të ashtuquajturit spiun apo terrorist”.
KosovaPress ka raportuar më parë për raste të zbulimit të spiunazhit, ku vetëm vitin që lamë pas janë arrestuar: Fatmir Sheholli, i cili u arrestua më 9 tetor 2025 në Prishtinë nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, Bojan Jevtiq – toger i Policisë së Kosovës i cili shërbente si shef operativ në policinë kufitare në pikën “Dheu i Bardhë”, Hysri Selimi, i cili u arrestua më 6 maj 2025 nën dyshimet për kryerje të veprës penale të spiunazhit në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) dhe Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë – e cila u arrestua më 28 shkurt 2025 nën dyshimet për spiunazh dhe fillimisht u ndalua për 48 orë nga Prokuroria Speciale pas hetimeve disa mujore.
Kurti në një intervistë për KosovaPress ka thënë se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë, ka rezultuar me arrestime dhe ndjekje penale në raste të dyshuara për spiunazh.
Por, përkundër se për raste të tilla spiunazhi janë ngritur edhe aktakuza, Petkoviq ka pretenduar se gjoja Kurti, “kërcënon paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Ai pretendoi se të të arrestuarit për spiunazhë në Kosovë “po mbahen padrejtësisht në burgje” dhe se të njëjtit “nuk janë spiunë, por viktima të tiranisë dhe të shfrenimit shovinist të regjimit në Prishtinë”.
Kjo nuk është hera e parë që poltikanët serbë kanë dezinformuar karshi Kosovës, deklarata të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit dhe keqinformimin vazhdimisht publikohen në mediat e Serbisë.







