Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar ashpër ndaj zyrtarëve shtetërorë, që sipas tij po përdorin fatkeqësinë e përmbytjeve si skenografi politike.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Dervishi shkruan se ndjen neveri për papërgjegjshmërinë dhe talljen mbi fatkeqësinë që ka përfshirë vendin nga përmbytjet.
‘Neveri për fotot/postimet në Facebook, për deklaratat plastike të tipit “po monitorojmë”, “situata është nën kontroll”, “jemi në gatishmëri”, “të gjithë janë në krye të detyrës”, “janë marrë masat”, “do të kompensojmë”, që qarkullojnë më shpejt se ndihma reale dhe, shumë më shpejt se zgjidhjet’, shkruan Dervishi.
Gazetari nuk kurseu as ironinë për zyrtarët, ku tha se: ‘Sikur 20% e energjisë së shpenzuar për propagandë të shkonte tek problemet!’.
Statusi
Mirënjohje dhe neveri!
Mirënjohje e sinqertë për forcat e ushtrisë, zjarrfikësit, policinë dhe vullnetarët. Janë ata që dalin të parët, hyjnë në ujë, në zjarr dhe në rrëmujë, pa kamera dhe pa statuse në rrjete sociale. Janë këta heronjtë e vërtetë, që duhen përshëndetur, mbështetur dhe ndihmuar, jo vetëm me fjalë, por me veprime.
Dhe pastaj vjen neveria. Neveri për grabitjet, për papërgjegjshmërinë, për talljen dhe për përdorimin e fatkeqësisë si skenografi politike. Neveri për fotot/postimet në Facebook, për deklaratat plastike të tipit “po monitorojmë”, “situata është nën kontroll”, “jemi në gatishmëri”, “të gjithë janë në krye të detyrës”, “janë marrë masat”, “do të kompensojmë”, që qarkullojnë më shpejt se ndihma reale dhe, shumë më shpejt se zgjidhjet.
Sikur 20% e energjisë së shpenzuar për propagandë të shkonte tek problemet!







