Ballina Lifestyle Familja Beckham mund të takohet me djalin e madh vetëm në Gjykatë

Familja Beckham mund të takohet me djalin e madh vetëm në Gjykatë

26
0

Drama në familjen Beckham ka marrë përmasa të mëdha.

Marrëdhëniet mes David dhe Victoria Beckham me djalin e tyre të madh, Brooklyn, janë përkeqësuar aq shumë, sa ai u ka kërkuar prindërve që çdo kontakt të bëhet vetëm përmes avokatëve.

Sipas burimeve, pati një shkëmbim letrash ligjore mes palëve, përmes ekipeve juridike Schillings dhe Harbottle & Lewis, ku Brooklyn e bëri të qartë se nuk dëshironte as komunikim personal dhe as deklarata publike për të në rrjetet sociale.

Pas këtij vendimi drastik, Brooklyn ka bllokuar prindërit e tij, si dhe vëllezërit Romeo dhe Cruz, në rrjetet sociale pak para Krishtlindjeve, duke e thelluar edhe më tej përçarjen familjare.

Në qendër të konfliktit qëndron bashkëshortja e tij, Nicola Peltz Beckham.

Brooklyn është ndjerë i fyer nga raportimet dhe aludimet se ai ishte “peng” dhe “i kontrolluar” nga gruaja e tij, pretendime që ai i konsideron sulme të ulëta dhe të qëllimshme.

Situata ka lënduar të gjithë anëtarët e familjes. Burime pranë tyre thonë se Brooklyn dhe Nicola zgjohen çdo ditë me ankth për postimet që mund të jenë bërë gjatë natës nga prindërit e tij, ndërsa miq të përbashkët shpresojnë ende në një pajtim.

Përçarja u bë publike pak muaj pas dasmës madhështore të çiftit në vitin 2022. Që prej asaj kohe, tensionet janë shtuar, me Brooklyn që mungoi në 50-vjetorin e të atit dhe nuk e uroi publikisht për titullin “Sir”.

Ndërkohë, David dhe Victoria Beckham thuhet se janë të shkatërruar emocionalisht, por të gatshëm të bëjnë çdo gjë për t’u pajtuar me djalin e tyre.

Megjithatë, pala e Brooklyn këmbëngul se pa një ndjesë të sinqertë, plagët nuk mbyllen.