Ballina Politika Shqipëria nën pushtetin e ujit, Rama justifikohet: U përmbyt edhe Stambolli!

Shqipëria nën pushtetin e ujit, Rama justifikohet: U përmbyt edhe Stambolli!

32
0

Kryeministri Edi Rama ka nisur episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ku në fjalën e tij hyrëse u ndal te situata e rëndë e përmbytjeve që kanë prekur vendin prej disa ditësh.

Rama theksoi se fenomeni nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, duke hedhur poshtë, sipas tij, interpretimet e ekzagjeruara mediatike. Ai tha se moti ekstrem ka përfshirë një hartë shumë më të gjerë gjeografike, deri në Stamboll, ku sipas tij janë parë pamje apokaliptike.

“Ky është tashmë një realitet i ri klimatik ku jetojmë”, tha Rama, duke shtuar se ndihet krenar që Shqipëria është sot më e përgatitur për përballimin e emergjencave, falë investimeve të realizuara ndër vite në infrastrukturë dhe kapacitete reagimi.

“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje e me dëborë, një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye të lidhur me vendin tonë, nga ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politike mediatike të mexhelisit shqiptar, por ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit.

Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me ajër të ngrohtë e të lagësht nga Mesdheu, dhe ka krijuar pikërisht këtë vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, duke sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura të ulëta.

Prandaj edhe lumenjtë rriten përsëri para se të bien.

Prandaj edhe toka mbetet e ngopur me ujë.

Prandaj edhe reshjet e shiut e të dëborës marrin përmasa anormale.

Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por do të thotë stinë të çrregullta, sisteme atmosferike të ngadalta, ku nuk ka qarkullim normal të këtyre flukseve, prandaj edhe krijohen vorbulla dhe pastaj të papriturat e një moti më ekstrem e më këmbëngulës në atë ekstremitetin e vet.

Më shumë thatësira e më shumë zjarre, më shumë vorbulla atmosferike e më shumë përmbytje, është tashmë një kuadrat i ri i klimës ku jetojmë, e cila nuk është më klima ku jemi rritur.

Por, unë jam shumë krenar për faktin se në çdo situatë emergjence, ne jemi më të gatshëm, më të përgatitur, më efikasë, falë investimeve masive që kemi bërë gjatë kësaj dekade, rreth çerek miliardë euro në infrastrukturën e kullimit e të mbrojtjes, si edhe falë investimit në strukturën e Emergjencave Civile, që sot kanë skuadra të stërvitura, pajisje bashkëkohore e çdo vit më shumë mjete.

Një fakt: Të dalësh nga kjo vorbull atmosferike me vetëm 13 mijë e 160 hektarë të mbuluara nga uji, është realisht një ngushëllim shumë i madh dhe një tregues se jetojmë në një Shqipëri tjetër, sepse kjo vorbull deri 10 vjet më parë do kishte përmbytur e papenguar dy apo trefishin e kësaj sipërfaqeje, sikundër edhe ka ndodhur”, tha ai.