Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, u paraqit ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), ku u mor në pyetje në lidhje me një çështje për të cilën vetë ai deklaroi se ishte “pa ndonjë rëndësi të veçantë”. Pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, Këlliçi u përpoq ta minimizonte peshën e paraqitjes së tij, duke e cilësuar procedurale dhe pa ndonjë implikim serioz.
Megjithatë, burime mediatike bëjnë me dije se mes çështjeve për të cilat deputeti demokrat është pyetur, besohet se ka qenë edhe Kuvendi i Rithemelimit i zhvilluar në vitin 2021, i iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Në atë periudhë, Belind Këlliçi ka qenë një nga figurat aktive dhe organizatorët kryesorë të këtij procesi politik, i cili shënoi përplasjen më të fortë brenda Partisë Demokratike pas shpalljes “non grata” të Berishës nga SHBA.
Ironia e kësaj historie politike dhe penale qëndron në faktin se kallëzimi penal për këtë çështje është depozituar pikërisht në vitin 2021 nga Gazment Bardhi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike.
Sot, Bardhi mban postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së dhe konsiderohet nga shumë si një nga rivalët e heshtur të Këlliçit në përplasjet e brendshme dhe “luftën e brylave” për influencë dhe kontroll politik brenda opozitës.
Dokumenti i siguruar dhe publikuar hedh dritë mbi këtë kallëzim penal, i cili në atë kohë u paraqit në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe iu drejtua Prokurorisë së Posaçme.

Në dokument thuhet se kallëzues është “Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Z. Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm”, ndërsa objekti i kallëzimit lidhet me veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 190, paragrafi 2 dhe neni 25 i Kodit Penal.
Në listën e personave kundër të cilëve drejtohet kallëzimi përfshihen, mes të tjerëve, Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Ivi Kaso dhe Ervin Minarolli, si dhe “çdo person i paidentifikuar deri më tani, por që nga veprimet konkrete rezulton pas hetimit se ka përgjegjësi penale”.







