Ballina Politika Ndërtuesi Armando Lilo në kërkim, por qeveria dërgon Albana Koçiun në terren...

Ndërtuesi Armando Lilo në kërkim, por qeveria dërgon Albana Koçiun në terren për të mbrojtur firmën e ndertimit

89
0

Ndërsa hetimet për zjarrin që shkrumboi një pallat në Tiranë ende nuk kanë përfunduar dhe ndërtuesi Armando Lilo është shpallur në kërkim, në vendngjarje janë shfaqur për të takuar banorët dy figura që në rrethana normale nuk do të duhej të shfaqeshin bashkë: zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe një përfaqësuese e firmës së ndërtimit Arlis.

Mesazhi i takimit duket i qartë: “ne nuk kemi faj”.

Nga një kompani ndërtimi një reagim i tillë është pothuajse i pritshëm. Në fund të fundit, çdo biznes përpiqet të mbrojë veten dhe interesin e tij, sidomos kur përballet me akuza që mund të kenë pasoja të rënda ligjore dhe financiare.

Por situata merr një dimension tjetër kur në këtë rol shfaqet një anëtare e qeverisë.

Sepse ndërsa organet e hetimit ende nuk kanë dhënë një përfundim për përgjegjësitë e zjarrit dhe për materialet e përdorura në fasadë, prania e një zv.kryeministre në një takim ku, në thelb, përcillet mesazhi i pafajësisë së firmës së ndërtimit ngre një pyetje të thjeshtë: çfarë sinjali u jepet hetuesve?

Në teori, institucionet duhet të presin përfundimin e hetimeve. Në praktikë, kur një përfaqësuese e lartë e qeverisë shfaqet në krah të përfaqësuesve të kompanisë, kufiri mes mbështetjes politike dhe mbrojtjes së interesave private bëhet shumë i paqartë.

Dhe pikërisht këtu nis problemi.

Sepse për publikun nuk është më një takim i zakonshëm me banorët e një pallati të djegur. Është një skenë ku qeveria duket se merr rolin e ndërmjetësit — ose më saktë, të avokatit — të një kompanie ndërtimi pronari i së cilës është shpallur në kërkim.

Sa për qëndrimin e kryeministrit, ai nuk është ndonjë mister i madh. Prej kohësh ai e ka bërë të qartë se për industrinë e ndërtimit në Shqipëri problemi kryesor nuk është përgjegjësia, por ritmi i zhvillimit. Dhe për sa kohë ndërtuesit vazhdojnë të ndërtojnë kulla në Tiranë, sistemi duket se funksionon.

Në këtë logjikë, përgjegjësia bëhet një çështje dytësore.

Sepse kur një ndërtues si Armando Lilo është pjesë e këtij sistemi dhe një klient i rëndësishëm i ekonomisë së kullave që po ndryshon horizontin e Tiranës, atëherë një zjarr, një fasadë problematike apo një hetim penal nuk janë domosdoshmërisht arsye për të ndalur biznesin.

Ato janë thjesht episode të pakëndshme që kalojnë.

Dhe ndërkohë që hetimet vazhdojnë, një gjë duket se është sqaruar shumë shpejt: firma nuk ka faj. Të paktën sipas avokatisë më të fuqishme që mund të ketë një kompani ndërtimi në Shqipëri — Albana Koçiut/VNA