Rifitimi i lejes së drejtimit mbetet një sfidë për shumë drejtues mjetesh. Shifrat zyrtare tregojnë se jo të gjithë janë të përgatitur për t’u rikthyer në timon.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar rezultatet e sesionit të radhës të ritestimit për lejen e drejtimit, ku niveli i kalueshmërisë ka qenë i ulët.
Nga 43 kandidatë të riregjistruar, vetëm 5 kanë arritur të kalojnë me sukses testimin, duke reflektuar qartë kërkesat e larta që autoritetet kanë vendosur për garantimin e sigurisë rrugore dhe disiplinës në qarkullim.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, që nga nisja e fushatës për ritestimin e drejtuesve, në qershor të vitit 2022 janë riregjistruar gjithsej 2.804 kandidatë. Prej tyre, vetëm 369 drejtues mjetesh, ose 13.1%, kanë arritur të rifitojnë lejen e drejtimit.
Ky proces nuk synon ndëshkimin e drejtuesve, por rritjen e standardeve të sigurisë në rrugë. Rregullat strikte dhe kriteret e forta të vlerësimit janë vendosur për të garantuar që në qarkullim të rikthehen vetëm ata drejtues që tregojnë përgjegjësi, aftësi të duhura drejtimi, sjellje korrekte ndaj përdoruesve të tjerë të rrugës dhe njohje të plotë të Kodit Rrugor.
Nga ana tjetër, shumë kandidatë dështojnë për shkak të mungesës së përgatitjes e neglizhencës ndaj rregullave bazë.
Ndërkohë, DPSHTRR u bën thirrje drejtuesve që janë në proces ritestimi të shfrytëzojnë burimet zyrtare të përgatitjes, përfshirë simulimin online të testimit dhe aplikacionet e dedikuara në platformat digjitale.
DPSHTRR thekson se rrugët kërkojnë drejtues të përgjegjshëm, dhe rifitimi i lejes së drejtimit është një proces që kërkon përkushtim e ndërgjegjësim.







