Nga Armand Shkullaku
Belinda Balluku ka lënë të kuptohet sot, se përveç mbështetjes pa kushte të kryeministrit Rama, ajo gëzon në mënyrë të tërthortë edhe një përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shfaqja publike live në krah të përfaqësues së SHBA dhe fjalimi me rastin e pajisjes me çertifikatë për prodhimin e energjisë eoliane të një kompanie amerikane, mund të jenë parë nga shumë njerëz si një lloj rikuperimi i pozitave të lënduara rëndë të numrit dy të qeverisë.
Imazhet e Ballukut dhe Nancy VonHorn, të ulura pranë njëra- tjetrës, bënë xhiron e mediave herë duke u komentuar si një lloj “pajtimi” i amerikanëve me zv/kryeministren dhe herë si një kurth i Ramës për ta vënë kryediplomaten përballë faktit të kryer. Një ngjarje e ngjashme pati ndodhur rreth 5 vjet më parë, kur ambasadorja e atëhershme Yuri Kim, braktisi një takim para kamerave sapo mori fjalën Ilir Beqaj. Mesazhi atëherë ishte i qartë, ndërsa ai sot lë vend për shumë interpretime, për më tepër që personi në krah të VonHorn ka statusin e të pandehurit nga prokuroria speciale.
Pavarësisht interpretimeve të këtij episodi, i pari që nga vënia nën hetim e Belinda Ballukut, ai shërben si metaforë për të kuptuar më thellë rezistencën që kryeministri Rama po i bën këtë herë organeve të drejtësisë. Në thelb, ai po kërkon kohë për të menaxhuar të parën goditje ballore ndaj qeverisë dhe atij vetë si kryeministër. Dhe pse jo, të tentojë ta ekuilibrojë dhe mundësisht ta shmangë shënjestrën e saj. E gjitha kjo lidhet me një ndryshim të diskutuar të kursit të administratës së re amerikane (mbështetëse kryesore e SPAK), që e ka bërë Ramën të humbë kontrollin mbi prokurorinë e posaçme.
Marrja e pandehur e numrit dy të qeverisë ndërsa është në detyrë, hetimi për funksionin zyrtar dhe jo për pasurinë personale e, mbi të gjitha, këmbëngulja për të ndaluar zv/kryeministren të shkelë në zyrë, përbëjnë ndryshimin cilësor në investigimin që SPAK ka bërë ndonjëherë mbi aferat dhe skandalet e pushtetit. Ky ndryshim, i kombinuar me një lloj distance të administratës aktuale amerikane në krahasim me atë të mëparshme, si dhe me mesazhet antologjike të presidentit Trump dhe sekretarit Rubio, që ditën e pavarësisë së Shqipërisë i bashkangjitën urimit luftën kundër krimit të organizuar dhe mbështetjen për SPAK, pasigurinë e Edi Ramës mund ta ketë shndërruar në paranojë.
Rama nuk e lëshoi Ballukun jo për shkak të dhembshurisë apo vlerësimit për të. Ai e përdori zëvendësen e tij për të fituar kohë, në rast të një negocimi të mundshëm me ata që mund ta kishin vënë në rreth dhe njëkohësisht për të treguar se ai nuk është nga ata që dorëzohen lehtë dhe presin me duart lidhur kur t’iu vi radha. Kryeminstri veproi krejt ndryshe nga herët e tjera, kur goditjet e SPAK nuk shkaktonin valë rrotull tij. Ai e mbajti në detyrë superministren, nisi një kryqëzatë ndaj drejtësisë së re (deri dje medalja e artë e mazhorancës së tij) duke alarmuar për grusht shteti e republikë prokurorësh, madje inskenoi gati përplasje me armë mes agjentëve të BKH dhe Gardës. Për të shënuar kulmin kur me Gjykatë Kushtetuese e ktheu Ballukun në zyrë dhe tani, me dhunën e shumicës, ka bllokuar shqyrtimin e imunitetit të saj.
Cilido që ka menduar se pas marrjes së pandehur nga SPAK, mbajtja e Ballukut në detyrë do të ishte çështje ditësh, ka dalë i gabuar. Sepse këtë herë Edi Rama po lufton për fatin e tij dhe jo atë të vartësve që i ka bërë kurban ndër vite. Ai po reziston edhe ndaj drejtësisë, me shpresën se ka fuqinë e mjaftueshme dhe pozitën e duhur për ta kaluar edhe këtë situatë. Herë nga roli i njeriut të gjithpushtetshëm, herë si skuth ala Mcgonigal, duke përdorur pushtet dhe lobim, Rama do të tentojë gjithçka për të gjetur çelsin e duhur të dyerve të reja në Uashington. Belinda është diga për të ndalur kohën derisa kryeministri të provojë t’ia dalë.
Prandaj shfaqja e zv/kryeministres së pandehur në krah të ambasadores së SHBA, dukej si metafora e aventurës së fundit të Edi Ramës për të rikthyer kohët e arta. Për ta zhvendosur Belën nga banka e të akuzuarve, tek karrikja ngjitur me përfaqësuesit amerikanë. Dhe për të parë pësëri këta të fundit të duartrokasin ndërsa ai flet me pathos për luftën kundër korruspionit dhe trafikut të drogës.
Ai e ka nisur këtë rrugë dhe, sado e pamundur të duket, do t’i shkojë deri në fund. Edi Rama, që njihet si politikani që ka ditur gjithnjë të tërhiqet përballë një fuqie më të madhe se e veta, këtë herë nuk ka ndërmend të hapë rrugë. Sulmi ndaj drejtësisë, përdorimi i Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimi i imunitetit, dëshmojnë se me pushtetin që ka, ai nuk do të tërhiqet. Vendosja e një të pandehure në krah të ambasadores së SHBA, është vetëm një episod në një serial që Rama do ta luajë me çdo çmim, deri në fund.







