Për shumë përdorues, interneti i sotëm nuk ngjan më me hapësirën e hapur dhe krijuese që njohën dikur.
Në vend të dialogut dhe eksplorimit, gjithnjë e më shpesh dominon gjuha agresive, polarizimi dhe përmbajtja e ndërtuar për të provokuar zemërim, e ashtuquajtura “rage bait“.
Kjo ndjesi nuk është as rastësore dhe as thjesht nostalgjike. Ajo pasqyron një transformim të thellë dhe strukturor të mjedisit dixhital modern.
Jo rastësisht, Universiteti i Oksfordit zgjodhi termin rage bait si fjalën e vitit 2025, duke pranuar zyrtarisht se zemërimi është kthyer në një nga motorët kryesorë të vëmendjes online.
Interneti i dikurshëm më i ngadaltë, por më njerëzor
Ata që u rritën në vitet ’80 dhe ’90 kujtojnë një internet krejt tjetër.
Teknikisht më i kufizuar, por më i afërt me njeriun.
Ishte koha e kompjuterëve fiks në sallon, e forumeve tematike, e blogjeve personale, e LiveJournal dhe e dilemave “ekzistenciale” se kush do të hynte në Top 8 të MySpace.
Internetit i asaj kohe i ngjante më shumë një rrjeti komunitetesh sesa një mekanizmi të vetëm, agresiv dhe të centralizuar vëmendjeje.
Para platformave
Sipas shkrimtarit dhe analistit të teknologjisë Max Read, përfaqësues i brezit millennial dhe autor i Read Max në Substack, interneti i hershëm ishte ndërtuar mbi zbulimin dhe lëvizjen e lirë.
Siç shpjegon ai në një intervistë për Vox, përdoruesit kalonin nga një faqe në tjetrën, nga blogje te komikë online, nga forume te faqe personale krijuesish.
Faqe si FARK dhe më pas Metafilter shërbenin si porta hyrëse drejt një bote të larmishme dixhitale.
Asokohe, interneti nuk dominohej nga pak kompani gjigante dhe nuk ekzistonin platformat ku një përdorues mund të qëndronte për orë të tëra pa dalë kurrë nga i njëjti ekosistem.
Kthesa e parë, newsfeed-i i Facebook-ut
Ndryshimi i parë i madh erdhi në vitin 2006, me prezantimin e newsfeed-it në Facebook.
Reagimi fillestar i përdoruesve ishte kryesisht negativ. Shumë e konsideruan ndërhyrës dhe shqetësues. Por, të dhënat treguan të kundërtën, rritje të angazhimit, më shumë kohë në platformë dhe rikthime më të shpeshta.
Newsfeed-i nuk ishte thjesht një veçori e re. Ai shënoi një model të ri ndërveprimi, ku informacioni filloi të rridhte pa ndërprerje përpara përdoruesit, pa pasur nevojë për kërkim aktiv. Interneti pushoi së qeni një hartë për t’u eksploruar dhe u shndërrua në një lumë përmbajtjeje që të tërheq me vete.
Epoka e algoritmit
Ndryshimi i dytë, edhe më i thellë, erdhi me faqen For You të TikTok.
Këtu algoritmi nuk organizon përmbajtje nga njerëz që përdoruesi njeh, por sugjeron vazhdimisht video bazuar në sinjale minimale sjelljeje, duke krijuar një përvojë pothuajse hipnotike.
Ky model solli një formë të re përvoje online, që shumë e përshkruajnë si antisociale.
Përdoruesi nuk ka nevojë të ndërveprojë, mjafton të konsumojë përmbajtje, shpesh të ndërtuar për të shkaktuar tronditje, zemërim ose indinjatë.
Në këtë mjedis, rage bait lulëzon.
A e “vrau” algoritmi internetin?
Pyetja mbetet e hapur.
Nga njëra anë, algoritmet ndihmuan në përhapjen masive të internetit dhe e bënë atë më të personalizuar dhe më fitimprurës. Nga ana tjetër, matja e suksesit vetëm përmes kohës së kaluar në platformë krijon një realitet të shtrembëruar.
Fakti që dikush qëndron më gjatë online nuk do të thotë domosdoshmërisht se përfiton ose kënaqet realisht.
Megjithatë, studime tregojnë se shumë përdorues ndihen më “efikasë” në flukset algoritmike krahasuar me modelet më të vjetra.
A ishte i pashmangshmëm toksiciteti?
Sipas Max Read, jo domosdoshmërisht.
Si kundërargument ai përmend Wikipedia-n, një platformë gjigante, globale dhe megjithatë kryesisht funksionale, e besueshme dhe jo e dominuar nga logjika e fitimit.
Dallimi, sipas kësaj analize, nuk është vetëm teknologjik, por kulturor.
Kultura e ndërtuar nga Jimmy Wales, Wikimedia Foundation dhe komuniteti i redaktorëve ka qenë kyçe për ruajtjen e integritetit të saj.
Ndërkohë, shumë platforma të mëdha udhëhiqen nga logjika e Silicon Valley-t, ku rritja dhe fitimi shpesh vendosen mbi përgjegjësinë sociale.
Millennials dhe humbja e protagonizmit dixhital
Për shumë millennials, zhgënjimi lidhet edhe me ndryshimin brezor.
Ata ishin brezi që u rrit me internetin dhe e formësoi atë. Sot, ky rol është zbehur.
Brezat më të rinj kanë zakone dhe pritshmëri të tjera, ndërsa interneti është bërë plotësisht global dhe jo gjithmonë i kuptueshëm për të gjithë.
Kjo krijon tek përdoruesit më të rritur ndjesinë se “nuk i përkasin më” këtij hapësire.
Një realitet i ri, por jo pa shpresë
Megjithatë, tabloja nuk është vetëm e errët.
Gen Z po dëshmon se interneti mund të përdoret edhe si mjet krijimi, bashkëpunimi dhe rezistence. Platforma si Reddit po shndërrohen në hapësira diskutimi të sinqertë, mësimi kolektiv dhe sfidimi të narrativave dominuese.
Në këtë mënyrë, interneti mund të kalojë nga konsum pasiv në pjesëmarrje aktive shoqërore dhe kulturore.
Internetit i ka ndryshuar fytyra dhe bashkë me të, edhe njerëzit. Nëse faza e ardhshme do të jenë më pak toksike, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt, se të kuptuarit se si arritëm deri këtu është hapi i parë drejt çdo ndryshimi kuptimplotë.







